KRYEFAQJA » LAJME » Kremtohet Kurban Bajrami

Kremtohet Kurban Bajrami

Besimtarët myslimanë shqiptarë kanë nisur sot kremtimet për Kurban Bajramin, një festë e shënuar e kalendarit islam në të gjithë botën. Në vende të shënuara të qyteteve të ndryshme shqiptare, ata u mblodhën që në mëngjes për të falur namazin, një rit kryesor i kësaj feste.
Në Tiranë besimtarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej” në një cermoni që si zakonisht transmetohet drejtëpërdrejtë nga RTSH.
Për besimtarët  kreu i komunitetit mysliman shqiptar, Skënder Bruçaj si zakonisht në këtë ditë ka bërë thirrje për t’i thënë “jo” urrejtjes e përçarjes, egoizmit e arrogancës, për falje të gabimeve të njëri-tjetrit, si dhe për më shumë ndihmë ndaj njerëzve në nevojë. “Le të lutemi të gjithë së bashku në këto ditë të shenjta të Kurban Bajramit që të mbretërojë paqja, solidariteti, respekti, harmonia dhe dashuria mes njerëzve pa dallim dhe përjashtim” është shprehur ndër të tjera zoti Bruçaj.
Shqipëria është një vend ku rreth 2/3 e popullsisë i përket besimit myslyman. Por bashkëjetesa mes besimeve fetare, kryesisht katolike e ortodoksë, konsiderohet për vendin e vogël ballkanik një vlerë historike dhe shembull unik botëror. Kjo vlerë është çmuar edhe nga Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri pak vite më parë. “Shqipëria është shembull, jo vetëm për rilindjen e Kishës, por edhe për bashkëjetesën paqësore ndërmjet feve” ka thënë ai.
Shteti laik shqiptar e ka futur Kurban Bajramin, ashtu si dhe festat e tjera fetare në kalendarin e festave zyrtare dhe e ka shpallur ditë pushimi. Në këtë ditë  veç urimeve, besimtarët e feve të ndryshme kryejnë vizita tek njeri tjetri, por edhe në objektet fetare.

Para Mbrapa
Para Mbrapa

 

 

 

Sicred