KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Kreditë nën standard “përplasin” institucionet

Kreditë nën standard “përplasin” institucionet

Kreditë shqiptare me probleme kanë përbërë problem edhe për raportimet e institucioneve prestigjoze ndërkombëtare. Emërues i përbashkët i raportimeve të tyre është fakti se huatë me probleme janë ulur ndjeshëm nga niveli i tyre më i lartë prej gati 25%, që arritën në tremujorin e tretë të vitit 2014. Por institucionet raportojnë tregues të ndryshëm për periudhën korrente. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë,“kushtet monetare lehtësuese kanë kontribuar në rritjen e portofolit të kredisë në lekë. Vëllimi i kredisë në lekë u rrit me 9% në terma vjetorë, duke kompensuar tkurrjen e kredisë në valutë. Kushtet e ofertës bankare për kredi priten të lehtësohen, të ndihmuara nga masat e marra për reduktimin e kredive me probleme dhe për nxitjen e kredisë së shëndetshme. Raporti i kredive me probleme ka zbritur në nivelin 15.9% në muajin maj, nga 18.2% në dhjetor të vitit të kaluar” theksoi Guvernatori Gent Sejko. Në analizën e posaçme për Shqipërinë, Agjencia e Vlerësimit të Riskut të borxhit, Moody’s vë në dukje se, kreditë me probleme pësuan rritje vjetore me 1.17 pikë përqindje. Ky nivel i kredive me probleme e bën Shqipërinë vendin me renditjen me te keqe në Rajon për NPL-të, shprehet Moody’s. Raporti i fundit rajonal i Fondit Monetar Ndërkombëtar e rendit Shqipërinë të dytën në Europën Qendrore Lindore dhe Juglindore, për nivelin e lartë të kredive nën standard, ku na e kalon vetëm Ukraina, që e ka këtë tregues gati 30%. Ndërsa mesatarja e Europës Qendrore, Lindore e Juglindore është rreth 5-6%. Raporti i dy ditëve më parë i Komisionit Europian thekson se “në mënyrë specifike, Shqipëria dhe Serbia po regjistrojnë ende normat më të larta të kredive të këqija në rajon, në 17.4% dhe 16.8% përkatësisht, të ndjekura nga Bosnja dhe Hercegovina (11.5%) dhe Mali i Zi (9.9%). Pavarësisht këtyre raportimeve, në Shqipëri, në total, në fillim të vitit 2017 ishin rreth 99 miliardë lekë, apo rreth 720 milionë euro, për të cilat bizneset apo individët i kanë vonuar pagesat e kësteve në banka për më shumë se tre muaj (periudha kur një hua fillon e klasifikohet si e keqe). Kjo shumë ka mbetur pothuajse e pandryshuar nga janari i një viti më parë, çka tregon se pavarësisht fshirjes, hua të tjera problematike i janë shtuar sistemin përgjatë 2016-s. Reduktimi i huave me probleme lidhet me proçesin i ristrukturimit të 35 kompanive të mëdha, që deri pak kohë më parë zotëronin 60% të kredive me probleme. Aktualisht, sipas burimeve zyrtare të Bankës së Shqipërisë, nga 35 kompani janë ristrukturuar 21 prej tyre. Nga 21 kompanitë e ristrukturuara, 10 prej tyre nuk janë më në vonesë, duke bërë që ato të dalin përfundimisht nga lista e sipërmarrjeve problematike. Ndërsa për 11 të tjera procesi i ristrukturimit ka ecur, por do të duhet të kalojnë edhe pak muaj derisa ato të dalin nga lista e të këqijve. Nga këto 35 kompani, 7 janë në proces falimenti.

Sicred