KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Kreditë e këqija zbrisin në 13.2% të totalit

Kreditë e këqija zbrisin në 13.2% të totalit

Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se portofoli i kredive të këqija e mbylli vitin 2017 me nivelin më të ulët të katër viteve të fundit. Sipas statistikave të bankës qëndrore në fund të muajit dhjetor kreditë me probleme arritën 13.2% të totalit, duke u ulur me 5 pike përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të një vit më parë. E thënë ndryshe, kredia që nuk kthehet rezultoi 72 miliardë lekë në vlerë absolute nga 99 miliardë lekë që ishte në fund të 2016-s. Ky është niveli më i ulët i këtij portofoli në katërvjeçarin e fundit, pas rekordit negativ të vitit 2014, kur kredia me probleme zinte 25% të totalit. Por rënia i dedikohet kryesisht fshirjes së kredive nga bilancet vjetore të bankave, një proces që intensifikohet në muajt e fundit të çdo viti, pasi bankat pastrojnë nga bilanci huatë që kanë më shumë se 10 vjet që nuk kthehen. Megjithatë, fshirja e kredive me probleme nuk nënkupton faljen e tyre pasi ndonëse nuk figurojne më në bilanc, procesi për rekuperimin e tyre vazhdon. Bankat e nivelit të dytë vijojnë përpjekjet për ti mbledhur këto kredi njësoj si më parë, por thjesht huatë e fshira aktualisht nuk raportohen më në treguesin e kredive të këqija.

Sicred