KRYEFAQJA » LAJME » Kreditë e buta, aplikantët të rinovojnë dokumentacionin

Kreditë e buta, aplikantët të rinovojnë dokumentacionin

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi në mbledhjen e së hënës kriteret për të përfituar kredi të butë për strehim. Ndonëse deri tani ka rreth 1800 aplikime, kryetarja grupit të keshilltarëve të PS, Klotilda Ferhati në një intervistë për TVSH fton qytetarët të rinovojnë dokumentacionin e paraqitur. “Nëse këto kërkesa do të jenë më të vjetra se 3 muaj qytetarët që kanë aplikuar do të duhet të riaplikojnë sepse dokumentacioni vlefshmërinë ligjore e ka 3 muaj” tha zonja Ferhati.

Drejtoria e strehimit pranë shërbimit social të Bashkisë Tiranë do të verifikoje dokumentacionin dhe përfituesit do të zgjidhen sipas një sistemi pikëzimi, ku çiftet e reja do të kenë prioritet. “Që në mbledhjen e marsit nëse mbledhja do të jetë nga fundi i muajit ose në fillim të prillit mund të kemi miratimin e listës së kredive të para” shtoi Ferhati.

Me programin e kredive të buta për strehim, bashkia merr përsipër të subvencionoje një pjesë të interesit të kredisë, duke ndërmjetësuar me bankat e nivelit të dytë. Zonja Ferhati tha se “apartamentet do ti zgjedhin vetë qytetarët nga tregu i lirë brenda normave që janë miratuar me vendim të këshillit bashkiak”. Programi i kredive të buta rinis pas 4 vitesh. Përmes tij Bashkia e Tiranës parashikon të subvencionojë këtë vit interesin e 1000 kredive, me një fond prej afro 1 milion dollarësh.