KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Kredi vetëm me bilancin e tatimeve

Kredi vetëm me bilancin e tatimeve

Shoqata Shqiptare e Bankave paralajmëron se nisma ligjore për dhënien e kredive mbi bazën e një bilanci, do të frenojë kreditimin. Në një intervistë për Radio Televizionin Shqiptar, Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave Spiro Brumbulli kërkon që zbatimi i masës ligjore të nis me biznesin e madh. “Të nisim me koorporatat, ne e mbështesim nismën, por të bëhet me faza. Duhet të nis me bizneset e mëdha e më pas ti lihet kohë 1 apo 2 vite biznesit të vogël dhe individëve”. Por çfarë ndodh nëse nisma do të zbatohet menjëherë edhe për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme? “Nëse zbatohet kështu siç është biznesi i vogël përjashtohen nga marrja e kredisë”. Ndaj për të shmangur këtë rrezik, shoqata shqiptare e bankave propozon që zbatimi i masës ligjore të shtyhet në kohë për biznesin e vogël dhe të mesëm. Nisma e qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë vjen në kuadër të luftës ndaj informalitetit. Por ky ndryshim rrënjësor në dhëniën e kredive shihet si pengesë nga bizneset, pasi një pjesë e mirë e tyre prej vitesh punojnë me dy bilance. Pranë Tatimeve deklarojnë të ardhura të ulëta për të paguar sa më pak taksa, ndërsa kur aplikojnë për kredi dorëzojnë bilance me të ardhura të larta, për të përfituar sa më lehtë huanë.

Sicred