KRYEFAQJA » LAJME » Kozniku: Po, më ka kontaktuar skuadra e Kukësit
Kozniku: Po, më ka kontaktuar skuadra e Kukësit

Kozniku: Po, më ka kontaktuar skuadra e Kukësit

Kampionia në fuqi e Shqipërisë, Kukësi, është në kërkim të një trajneri për gjysmën e dytë të këtij sezoni të Kategorisë Superiore, pas shkarkimit të serbit Mlladen Milinkoviç pas humbjes në ndeshjen e fundit me Luftëtarin. Një nga emrat e përmendur si kandidaturë e mundshme për stolin e verilindorëve është edhe ish-futbollisti i mirënjohur nga Kosova, Ardian Kozniku. Ish-sulmuesi, tanimë 50 vjeç, është hëpërhë trajner i moshave të skuadrës së Rudeshit, por edhe i përfshirë me programet e moshave të Federatës Kroate të Futbollit. I kontaktuar me telefon nga kryeqyteti kroat, ku ndodhet aktualisht në këto ditë të fundviti, ish-futbollisti i përfaqësueses kroate, me të cilën ka marrë edhe vendin e 3-të në Botërorin e 1998-ës, ka pohuar se është kontaktuar nga përfaqësues të Kukësit. “Po, është e vërtetë që kam patur një interesim nga ana e klubit të Kukësit, ndonëse gjithçka është ende në fazën fillestare”, – ka pohuar Kozniku, duke folur ekskluzivisht për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar. “Natyrisht më nderon fakti që klubi “kampion” në fuqi i Shqipërisë më merr në konsideratë për të qenë trajneri i tij dhe unë gjithmonë jam i hapur ndaj sfidave të reja, – ka vijuar ai. – Por, në momentin që flasim, gjithçka është më tepër një ide sesa diçka konkrete. Unë kam impenjimet e mia të përvijuara qartë dhe mbi baza kontratash dhe, përpara se të marr një vendim madhor, duhet të shoh konkretisht se çfarë më ofron Klubi i Kukësit, çfarë projekti ka për mua dhe si do ta vëmë atë në zbatim. Prandaj them që, pa u ulur për të diskutuar mbi propozime konkrete, nuk mund të them dot asgjë më tepër”, – ka përfunduar 50-vjeçari. Aktualisht, përveç Ardian Koznikut, një tjetër emër i përmendur për stolin e Kukësit është edhe ai i shqiptarit të Maqedonisë dhe ish-trajnerit të Flamurtarit, Zekerija Ramadani.

Sicred