KRYEFAQJA » LAJME » Kotleben: Shqipëria me mjedis të mjaftueshëm për ndeshje ndërkombëtare të basketbollit

Kotleben: Shqipëria me mjedis të mjaftueshëm për ndeshje ndërkombëtare të basketbollit

Federata Botëtore e Basketbollit, nëpërmjet përfaqësuesit të saj, Lubomir Kotleben ka kryer vëzhgimin e saj të përvitshëm edhe në Shqipëri, ku kryefjala ka qenë infrastruktura e lojërave me dorë. Zyrtari i FIBA-s ka vizituar sallën e re të Parkut Olimpik të Tiranës, duke e vlerësuar atë si një nismë të mirë. “Më ka lënë mbresa kjo sallë e re dhe është diçka e mirë që shikojmë që përtej futbollit, duke investuar edhe në Pallate Sporti e salla lojërash me dorë. Natyrisht, duke shpresuar që basketbolli në vendin tuaj të rritej edhe më tepër, do të kishim dëshiruar që kjo sallë të kisht më shumë se 1,300 vendet që ka aktualisht, të kishte 4 dhoma zhveshjeje, nga 2 që ka aktualisht, dhe disa gjëra të tjera” thotë për RTSH zoti Lubomir Kotleben.
Megjithatë, Kotleben ka theksuar se Shqipëria tanimë ka një mjedis të mjaftueshëm për ndeshje ndërkombëtare. “FIBA nuk është aty për të vënë gjoba apo për t’i detyruar vendet të luajnë jashtë shtëpie për shkak të mungesës së infrastrukturës. FIBA është që të luhet sport, të luhet basketboll dhe çdo ekip të luajë në shtëpinë e vet. Për këtë arsye, ne vlerësojmë se kjo sallë sportive plotëson kushtet bazë për ndeshje ndërkombëtare dhe kjo është një pikënisje e mirë” tha ai. Zyrtari i organizmit që qeveris basketbollin botëror ka vizituar disa pallate të tjera sporti në Shqipëri, si dhe ka zhvilluar takime në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar.

Sicred