KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë: Vazhdojnë përpjekjet për formimin e qeverisë

Kosovë: Vazhdojnë përpjekjet për formimin e qeverisë

Presidenti Thaçi ka afat deri me 8 gusht të thërrase mbledhjen konstituive të Kuvendit të dalë nga vota e 11 qershorit. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve me 8 korrik çertifikoi rezultatet e zgjedhjeve pa ndryshime të mëdha nga rezultatet që i kishte prezantuar me herët. Tani mbetet që deputetët e zgjedhur të betohen në Kuvendin e Kosovës, të fillojnë punën dhe votojnë për qeverinë e ardhshme. Mirëpo deputetët nuk mund të mblidhen në Kuvend pa vendosur i pari i shtetit, Presidenti Hashim Thaçi. Ligjet në fuqi, ia lënë në dorë Presidentit të vendit thirrjen e mbledhjes së parë konstituive të Kuvendit të Kosovës si dhe të mandatoje kandidatin për Kryeministër. Ndërkaq vijojnë diskutimet për formimin e qeverisë së re. Lëvizja “Vetëvendosje” dhe koalicioni (LDK-AKR-Alternativa) po presin dështimin e koalicionit PAN për të formuar qeverinë. I nominuari i koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj, i ka bërë ftesë për takim drejtuesve të vetëvendosjes dhe të LDK AKR dhe Nismës, por këta të fundit e kanë refuzuar. Kundërshtarët politike janë të bindur se Haradinaj nuk i ka numrat për ta formuar qeverinë, prandaj presidenti do të detyrohet të nominoje një mandatues të dytë. Përfaqësues të koalicionit më të madh thonë se nëse partitë nuk do të pranojnë t’i bashkohen PAN-it dhe ta votojnë Ramush Haradinaj për kryeministër, atëherë do të vazhdojnë me partneritet me deputetë veç e veç. Ata janë të bindur se javën që vjen do të formohet Qeveria e re, në krye me kandidatin për kryeministër, Ramush Haradinaj.

Sicred