KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, Opozita: Thaçi po bën pazare për anëtarët e KQZ-së!

Kosovë, Opozita: Thaçi po bën pazare për anëtarët e KQZ-së!

Komisioni Qendror Zgjedhor ka rreth 1 vit që ka mbetur jofunksional, pasi presidenti i vendit, Hashim Thaçi nuk i ka dekretuar ende anëtarët e partive politike. Ndërkaq, kërkesa e tij drejtuar gjashtë grupeve parlamentare shqiptare për të propozuar nga një anëtar për trupën e re të KQZ-së, po konsiderohet joligjore nga dy partitë opozitare dhe shoqëria civile.

Deputeti, njëherësh sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se pretendimi i presidentit, Hashim Thaçi që çdo subjekt parlamentar të ketë nga një përfaqësues në KQZ, është jashtë çdo rregulle të krijuar më herët. Sipas tij, presidenti Thaçi po i ben keto veprime me qëllim që t’i favorizoje partitë në pushtet dhe PSD-në. “Loja që po e bën zotëri Thaçi thjesht e ka bllokuar funksionimin e Komisionit Qendror Zgjedhor. Për ne është e papranueshme kjo qasje dhe qëndrimi i tij eventual që ne të kemi vetëm një përfaqësues. Ne i kemi dërguar dy emra sepse e mendojmë që kemi të drejt plotësisht…për mendimin tonë është joligjore, shkelje e rregullave të krijuara më herët dhe thënë thjesht është në vazhdën e atyre që zotëri Thaçi është i njohur t’i bën shtjellimet e tija. Veprimet e tij në mënyrë që të pengoj institucionet dhe të krijoj momentume të paqena për subjektet që sipas mendimit tonë dëshiron me i favorizuar. Në këtë rast grupeve të ndryshme parlamentare që janë në Parlamentin e Kosovës”,-tha Beqiri.

Kundërshtuese e këtij qëndrimi të presidentit është edhe partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje. Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu thotë se Thaçi po përpiqet të ketë një përbërje siç i përshtatet atij dhe jo siç thuhet në dispozitat ligjore. “Ka pasur një tendencë e cila po vazhdon ende që presidenti Hashim Thaçi të shëndërroj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në një përbërje siç i përshtatet atij, dhe jo siç e thotë Kushtetua e Republikës së Kosovës, siç e thotë ligji për zgjedhje dhe siç e thotë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese…është e qartë se po bëhen pazare ndërmjet një subjekti pseudo opozitar siç është PSD-ja me presidentin”, deklaroi deputetja Haxhiu për KosovaPress.

Në anën tjetër, kundër kësaj kërkese të presidentit Hashim Thaçi shprehet edhe shoqëria civile. Nga Institutit Demokratik i Kosovës, Artan Murati, ka thënë se tendenca e presidentit Hashim Thaçi për t’i dhene KQZ-së një formacion tjetër është në kundërshtim me të gjitha dispozitat ligjore.

Sipas tij, Vetevendosje duhet të ketë 2 anëtarë, LDK po ashtu 2, ndërsa koalicioni PAN 2. Ai thekson se logjika që secilit grup parlamentar t’i japet vende në KQZ do të dilte jashtë çdo funksionimi normal të kësaj trupe zgjedhore. “Sipas legjislacionit në fuqi shpërndarja e ulëseve në KQZ, bëhet në pajtim me subjektet politike që kanë garuar në zgjedhjes paraprake. Pra koalicioni PAN, dhe pse përbëhet prej shumë subjekteve politike ka garuar bashkë i takojnë 2 anëtarë në KQZ, 2 anëtarë i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje dhe 2 anëtarë i takojnë LDK-së… nëse e ndjekim këtë logjik t’iu japet ulëse secilit grup parlamentar, atëherë ne do të dilnim jashtë çdo funksionimit normal të KQZ-së dhe të rregullave zgjedhore të cilat i kemi në fuqi”,-tha Murati.

Ndërsa, të kënaqur me këtë veprim të presidentin, shprehet Partia Socialdemokrate. Sipas tyre kjo është në përputhje me gjitha normat ligjore. Deputetja e kësaj partie, Shqipe Pantina e ka konfirmuar se zyra e të parit të shtetit e ka dërguar një shkresë ku i është kërkuar partisë së saj të propozoje një emër për anëtarë të KQZ-së, gjë të cilën e kanë bërë. “Zyra e presidentit e ka dërguar një shkresë tek Partia Socialdemokrate për të propozuar emrin që ne japim për anëtarët e KQZ-së, gjë që ne e kemi bërë dhe tani, po presim që presidenti t’i dekretoj anëtarët e KQZ-së në mënyrë që KQZ-ja të funksionalizohet”-u shpreh Pantina.

Sicred