KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, opinione kontradiktore mbi “Ligji për dialogun”
Kosovë, opinione kontradiktore mbi "Ligji për dialogun"

Kosovë, opinione kontradiktore mbi “Ligji për dialogun”

“Ligji për dialogun”, ishte një nga pesë kushtet e Partisë Social Demokrate, për të votuar për Buxhetin e Kosovës. Mirëpo një gjë e tillë, që nga fillimi nuk ka gjetur përkrahjen e opozitës.
Në seancën më të gjatë të mbajtur ndonjëherë në Kuvendin e Kosovës, është votuar me 61 vota pro në lexim të parë projektligji për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.
Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje ka pasur shumë vërejtje për këtë projektligj, ku mes tjerash ka paralajmëruar që do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese. Haxhiu mes tjerash tha se ky projektligj është shkruar nga vetë Hashim Thaçi. Ku sipas saj, nuk vendos asnjë vijë të kuqe, se për çka do të bisedohet  me palën tjetër.
Profesori i të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë se projektligji për dialog, ka qenë i panevojshëm, duke ditur se Kosova ka Ligjin për marrëveshje ndërkombëtare.
Edhe analisti politik Ramush Tahiri, tha se projektligj ka qenë i panevojshëm, pasi në këtë mënyrë do të interferohet në punën e Kuvendit.
Shkodran Hoti i Partisë Social Demokrate tha se paralajmërimi i Vetëvendosjes është legjitim. Por, që sipas tij VV-ja duhet të fillojë të respektojë vendimet e gjykatave. “E drejta për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese sipas normave ligjore, është e drejtë e garantuar në Republikën e Kosovës. Kjo sigurisht se vlen edhe për Vetëvendosjen, e cila mbase në të ardhmen do të fillojë t’i respektojë edhe vendimet e gjykatave, ku ngritin vetë procedura, si në rastin e çështjes së nënkryetares së Kuvendit”, ka thënë Hoti për KosovaPress.
Por, sipas Mazllum Baraliut nëse ky projektligj do të kalojë edhe në lexim të dytë, dhe dërgohet në Kushtetuese, atëherë duhet të ndërpritet procedura derisa të trajtohet, dhe si i tillë nuk duhet të hyjë në fuqi.
Kujtojmë se pesë kushte kishte vënë Partia Socialdemokrate kur si parti opozitare, më 21 dhjetor të vitit të kaluar bëri të mundur të kalojë në parim Projektligji për Buxhetin e vitit 2019. Të gjitha këto kushte, janë plotësuar gjatë ditës së djeshme, duke përfshirë kështu edhe shkarkimin e ish-ministrit, Nenad Rikallo.

Sicred