KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë; Nis zyrtarisht fushata elektorale
zgjedhjet, Kosovë, Nis zyrtarisht fushata elektorale, partite ne gare

Kosovë; Nis zyrtarisht fushata elektorale

Në Kosovë ka nisur zyrtarisht, që prej mesnates, fushata elektorale për zgjedhjet e parakohshme të 11 Qershorit, edhe pse gjatë kësaj kohe, si fillim partitë e më pas dy koalicionet e mëdha, kanë qenë vazhdimisht të angazhuara në aktivitete elektorale. Në Kosovë janë regjistruar gjithsej 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 iniciativa qytetare. Fushata zgjat 10 ditë. Partia Demokratike e Kosovës në këto zgjedhje shënoi hapjen e fushatës me një dalje të krerëve të saj pas mesnate në selinë e partisë, në Prishtinë. Ndërsa kandidati i LDK-së për kryeministër publikoi pas mesnate një video-mesazh për qytetarët. Partia Demokratike e Kosovës në këto zgjedhje garon në koalicion me AAK-në, me “Nismën” dhe 11 subjekte të tjera të vogla, të cilat kandidat për kryeministër kanë Ramush Haradinaj. Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës garon në koalicion me AKR-në e Behgjet Pacollit, të cilave i është bashkuar Alternativa e Mimoza Kusari-Lilës, si dhe Lëvizja për Drejtësi. Kandidat për kryeministër i këtyre partive është Avdullah Hoti. Lëvizja “Vetëvendosje” garon e vetme me kandidat për kryeministër Albin Kurtin. Partitë politike që do të garojnë në zgjedhjet e 11 qershorit nënshkruan një deklaratë për rritjen e transparencës financiare gjatë fushatës zgjedhore. Por megjithë nënshkrimin e dokumentit ku premtohet transparencë maksimale, ekspertët e ekonomisë, bazuar në praktikat e mëhershme, thonë se partitë politike bëjnë shpenzime shumë më të mëdha financiare krahasuar me shumat që u ndahen atyre çdo vit nga buxheti i Kosovës.

Sicred