KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë: KQZ-ja gati për zgjedhjet lokale të së dieles

Kosovë: KQZ-ja gati për zgjedhjet lokale të së dieles

Sot në mesnatë mbyllet fushata për zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën, më 22 tetor. Përfaqësues të Komisionit Qendror Zgjedhor, ata të Prokurorisë si dhe Policisë theksuan se gjithçka është gati për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit janë të regjistruar 1 milion e 900 mijë qytetarë me të drejtë vote. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka çertifikuar më shumë se 200 kandidatë, 91 subjekte politike, një koalicion, 30 nisma qytetare, 25 kandidatë të pavarur dhe 7080 kandidatë për asamble komunale. Analistet mendojne se këto zgjedhje, do të ndikohen nga rezultati i 11 qershorit. Sipas tyre, koalicionet që do të formohen pas raundit të parë do të kenë vetëm një synim dhe se do ketë koalicione të sigurta kundër lëvizjes Vetëvendosje, pasi PDK-së, AAK-së dhe LDK-së nuk iu leverdis rritja e Vetëvendosjes, pasi nuk e shohin si aleate potenciale. Zgjedhjet e 22 tetorit do të monitorohen nga rreth 33 mijë e 200 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë subjektet politike të çertifikuara, OJQ-të vendore, organizatat ndërkombëtare, ambasada, media vendore dhe ndërkombëtare. Autoritetet e rendit në Kosovë thonë se i kanë bërë përgatitjet e duhura për organizimin e zgjedhjeve lokale në mënyrë që siguria në vend të jetë në nivel të lartë. Me 22 tetor do të mbahen zgjedhjet lokale në 38 komunat e Kosovës. Si rezultat do të zgjidhen kryetarët e rinj të komunave dhe këshilltarët nëpër asambletë komunale.