KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, ekipi negociator shpall të martën, platformën për bisedimet me Serbinë

Kosovë, ekipi negociator shpall të martën, platformën për bisedimet me Serbinë

Ekipi negociator i Kosovës për bisedimet me Beogradin, pritet që të martën ta prezantojë në Kuvendin e Kosovës, platformën për dialogun me Serbinë. Përveç PSD-së, kjo platformë nuk pritet të ketë përkrahje nga partitë tjera opozitare. Analistët vlerësojnë që platforma nuk do të jetë e plotë, pasi që në përpilimin e saj nuk ka pasur kontribut nga LDK-ja e LVV-ja.Ka kaluar gati një muaj nga koha e parashikuar ne rezolutë që ekipi negociator do të duhej të dilte me platformën për dialogun. Me gjithë këto vonesa, këto ditë pritet që në Kuvendin e Kosovës të prezantohet kjo platformë. Shpend Ahmeti, bashkëkryesues i këtij ekipi, ka paralajmëruar para disa ditëve, që të martën do ta dorëzojnë në Kuvend platformën, ku shpreson që do të ketë përkrahje nga deputetët. Mirëpo, si për Projektligjin për Dialogun, as platformën nuk do të mbështesin dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Të dyja këto forca kërkojnë rrëzimin e qeverisë dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme. Ekipi negociator, deri tani ka zhvilluar një takim njohës në Bruksel me Federika Mogherinin dhe një tjetër me stafin teknik të saj. Ekipi bashkëkryesohet nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

Sicred