KRYEFAQJA » LAJME » Kosova turpëron “miqësisht” 3-0 Shqipërinë
Kosova turpëron "miqësisht" 3-0 Shqipërinë

Kosova turpëron “miqësisht” 3-0 Shqipërinë

Supozohej të ishte një festë futbolli gjithëshqiptare në “Letzingrud” të Zyrihut, por miqësorja midis Shqipërisë dhe Kosovës nuk kishte asgjë për të festuar për kuqezinjtë. Skuadra kosovare e trajnerit Bernard Shalondë i ka dhënë një leksion asaj të homologut Kristian Panuçi, duke e mundur 3-0. Shqipëria e ka nisur takimin e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizioni Shqiptar me një formacion eksperimental, të përbërë nga Berisha, Hysaj, Gjimshiti, Veseli, Lika, Ramadani, Qaka, Ndoj, Roshi, Guri, Cikalleshi. Në krahun tjetër, Kosova ka rreshtuar Ujkanin, Ismajlin, Rrahmanin, Alitin, Vojvodën, Shalën, Halimin, Rashicën, Avdijajn, Zenelin, Muriqin. 15 minutat e para të ndeshjes do të flasë për Kosovën, e cila do të rrezikojë seriozisht (15′) kur Frederik Veseli do të bëjë një gabim trashanik në mesfushë dhe i jep mundësinë Dionis Avdiajt të dalë i vetëm përballë Berishës, por portieri kuqezi ka bërë të pamundurën, duke i mohuar golin Kosovës. Goli për kosovarët do të vijë 5 minuta më vonë, kur Zenelaj do të përfitojë nga një vertikalizim i saktë dhe do të përshëndesë rrjetën, pavarsisht përpjekjes së portierit kuqezi, Berisha.
Shqipëria është e zbehtë në reagimin e saj dhe Panuçi nuk duron dot më shumë se 43 minuta, për të nisur valsin e zëvendësimeve. Në fundin e pjesës së parë, Kosova për pak sa nuk dyfishoi rezultatin, por Murriqi nuk arrin ta dërgojë topin në rrjetë.
Edhe pjesa e dytë do të flasë për Kosovën, e cila do të gjejë edhe golin e dytë. Përsëri Arbër Zeneli, që përfiton nga një tjetër gabim tragjik i kuqezinjve në mbrojtje dhe shënon një gol mjaft të bukur.
Trajneri Shalondë tërheq Rashicën në minutën e 59-të, dhe vendin e tij e zë Zhegrova, i cili nuk humbet kohë dhe fillimisht e vë gardianin kuqezi në provë, por Berisha reagon bukur, ndërsa në minutën e 62-të, harkimi i 19-vjeçarit nuk preket nga askush dhe topi përfundon në rrjetë.
Shqipëria është e shthurur taktikisht dhe në minutën e 74-t, Zeneli kishte mundësi për të firmosur 3-golëshin e tij, por Berisha i thotë “jo”. Kosova vazhdon dominimin deri në fund dhe mund të kishte gjetur edhe një gol të 4-t, por shtylla e majtë e portës e shpëton Berishën dhe ekipin kuqezi. Përfundimisht mbyllet 3-0 kjo ndeshje miqësore dhe trajneri Panuçi do të ketë shumë mësime për të nxjerrë nga ky pësim.

Sicred