KRYEFAQJA » LAJME » Kosova thyhet edhe nga Ukraina, mbetet e fundit në grup
Kosove-Ukraine

Kosova thyhet edhe nga Ukraina, mbetet e fundit në grup

Edhe pse ka luajtur të premten në mbrëmje ndeshjen e saj të 9-të zyrtare   në kuadër të grupit I të Eliminatoreve të Botërorit 2018, që nga pranimi i saj në UEFA dhe FIFA, Kosova është ende në kërkim të fitores së saj të parë. Madje ajo është mundur edhe në takimin e zhvilluar në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës dhe të të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke kapitulluar përballë Ukrainës me rezultatin 0-2. Në fakt, ka përfunduar pa gola pjesa e parë e kësaj ndeshjeje, ndonëse Kosova ishte me fat pasi Ukraina bëri një vëllim më të madh loje dhe goditi edhe shtyllën gjatë këtyre 45 minutave të para, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës. Nga ana tjetër, Kosova krijoi vetëm gjysma rastesh dhe nuk pati rrezikshmërinë e duhur në lojën e saj për ta kërcënuar seriozisht portën e skuadrës së drejtuar nga ish-futbollisti i njohur ukrainas dhe botëror, Andrij Shevçenko. Pjesa e dytë, e cila, sikundër shumica e ndeshjes është kushtëzuar nga rreshjet e vazhdueshme të shiut dhe terreni i rënduar, do të flasë sërish për miqtë. Ukraina do të thyejë qëndresën e Kosovës pas një ore lojë, falë një autogoli të Paqararadës, i cili tregohet i pavëmendshëm pas një harkimi brenda zone, duke e kthyer topin në rrjetën e tij. Ukraina do ta vulosë fitoren në minutat e fundit të kohës së rregullt, me golin e dytë, kur Jarmolenko do të përfitojë nga hezitimi i mbrojtjes së Kosovës dhe do të godasë saktë brenda zonës dhe do të përshëndesë rrjetën, duke dyfishuar epërsinë e Ukrainës. Miqtë fitojnë 2-0, ndërsa Kosova mbetet e fundit në renditje me një pikë të vetme të marrë në këto 9 ndeshje ku 8 të tjerat i ka humbje.

Sicred