KRYEFAQJA » LAJME » Kosnett: SHBA-ja mbështet transformimin e FSK-së në ushtri

Kosnett: SHBA-ja mbështet transformimin e FSK-së në ushtri

Në kulmin e përplasjeve me Serbinë dhe Komunitetin Ndërkombëtar, për çështjen e themelimit të ushtrisë së Kosovës, Prishtina merr mbështetje të fortë në këtë drejtim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në intervistën e tij të parë në Kosovë, ambasadori amerikan, Filip Kosnet, ka qenë i qartë për hedhjen e këtij hapi me mbështetje amerikane.

“Uashingtoni vazhdimisht ka mbështetur zhvillimin e FSK-së dhe zhvillimin e saj në Forcë të Armatosur. SHBA-ja ka investuar shumë para; kemi kaluar shumë kohë në trajnime; kemi bërë shumë shkëmbime ndërmjet FSK-së dhe ushtrisë amerikane. Mendojmë se evoluimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës është hap pozitiv dhe është më se e natyrshme për Kosovën si vend sovran, i pavarur që të ketë aftësi vetëmbrojtëse. Po ashtu, prijësit kosovarë kanë folur se si Forcat e Armatosura të Kosovës do të mund të merrnin pjesë në operacione paqembajtëse jashtë vendit; se Kosova ka arritur pikën që në vend se të jetë vetëm konsumuese e sigurisë ndërkombëtare, ajo mund edhe ti kontribuojë asaj. Kjo e tëra është e mirëseardhur. Tashmë, ky është proces i gjatë. E di se njerëzit, disa njerëz në vendet fqinje janë mbërthyer në një datë të caktuar që po afrohet shumë shpejt dhe i kanë shprehur shqetësimet e tyre se evoluimi i FSK-në në Forca të Armatosura do të mund të kishte ndërlikime negative për siguri. Do të dëshiroja të them se ky është proces që do të marrë shumë vite, që Kosova ka çdo arsye, ka të drejtë të ketë aftësi vetëmbrojtëse. Pika më e rëndësishme që dua ta theksoj është: nëse ka njerëz që përnjëmend besojnë se Policia e Kosovës, Forcat e Sigurisë, Forcat e Armatosura, me çfarëdo etikete, përbëjnë kërcënim për sigurinë rajonale, atëherë mendoj se ky është edhe një tregues tjetër për rëndësinë e dialogut. Mendoj se është me rëndësi për njerëzit në të dy vendet që ta kuptojnë pikëpamjen e palës tjetër sepse kur nuk komunikoni, e dini, çdo lloj i frikës del në sipërfaqe dhe njerëzit gjithmonë i frikohen gjërave që nuk i kuptojnë”- deklaroi ambasadori amerikan, Filip Kosnet.

Edhe ndaj këmbënguljes së gazetarit, për datën 14 dhjetor, të zgjedhur nga Qeveria, për hedhjen e hapit final, ambasadori i përgjigjet me pozitivitet, duke e vënë theksin tek multietniciteti i ushtrisë.

“Pikërisht kjo është çështja, Xhevdet. Edhe nëse e miratojnë ligjin ose i ndërrojnë shenjat në uniformat e personelit në datën e caktuar, kjo nuk është gjëja më e rëndësishme. Me rëndësi është që ky do të jetë proces i gjatë i qëndrueshëm dhe që përderisa Forcat e Armatosura të themelohen, që siç thamë, është proces i gjatë, që të jetë forcë shumëtnike. Është me rëndësi që pjesëtarët e komunitetit serb dhe komuniteteve tjera të marrin pjesë me të madhe në Forcat e Armatosura siç kanë bërë në FSK dhe në Polici, sepse kjo është përvojë që e kemi parë në vendin tonë: është me rëndësi që pjesëtarët e komuniteteve të mendojnë, të shohin, se njerëzit në uniformë i përfaqësojnë ata e jo që janë vetëm forcë e jashtme”-tha Kosnet.

Ambasadori ka rikthyer në vëmendje faktin se SHBA-të janë të gatshme të pranojnë çdo marrëveshje të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë dhe shkëmbimin e territorëve, por, ka bërë të qartë se nuk janë SHBA-të, skenaristë të këtij plani.

Sicred