KRYEFAQJA » LAJME » SHBA anulon bisedimet, Koreja e Veriut: Ne jemi gati të flasim

SHBA anulon bisedimet, Koreja e Veriut: Ne jemi gati të flasim

Koreja e Veriut tha se është e gatshme të zhvillojë bisedime mes liderit të saj Kim Jong-un dhe Donald Trump, duke e cilësuar samitin që SHBA anuloi si “dëshpërimisht të nevojshëm për të zgjidhur problemet”. “Ne shprehim vullnetin tonë për të biseduar me SHBA-në. Angazhimi ynë për të bërë më të mirën për paqen në botë apo Gadishullin Korean mbetet i pandryshuar dhe jemi mendjehapur për t’i dhënë kohë dhe mundësi Uashingtonit”, deklaroi zëvendësministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Kim Kye-gwan. Sipas diplomatit korean, Donald Trump vlerësohej nga Koreja e Veriut pasi ndërmori një hap që asnjë President përpara tij nuk e kishte marrë, por vendimi për të anuluar bisedimet ishte për të ardhur keq. Koreja e Veriut me komentet e saj përpiqet të kalojë fajin tek SHBA-ja dhe këtë herë duket fare e lehtë.
Koreja komuniste është përpjekur gjithnjë të paraqesë veten si nxitësi i progresit në raportin me SHBA-në, ndërsa Kim Jong-un ndërton imazhin e një lideri të përgjegjshëm përballë Trumpit të paparashikueshëm. Ky i fundit tha se anuloi takimin pas zemërimit të madh dhe armiqësisë së shprehur nga Koreja e Veriut gjatë ditëve të fundit, por vendimi i SHBA-së zuri në befasi aleatët në rajon, që nuk u lajmëruan më herët. Trump mund të fajësojë sa të dojë retorikën e Koresë së Veriut, por e vërteta është se administrata Trump nuk kishte një strategji diplomatike të unifikuar që prej fillimit.

Sicred