KRYEFAQJA » LAJME » Korçë; Zbulohet një vendbanim i hershëm

Korçë; Zbulohet një vendbanim i hershëm

Punimet për ndërtimin e Gazsjellësit Trans Adriatik, TAP, në afërsi të fshatit Turan, në Korçë, kane zbuluar rrënojat e një vendbanimi të hershëm. Sipas vlerësimeve paraprake , mendohet se bëhet fjalë për një vendbanim i cili daton që nga periudha e hershme e epokës së hekurit (shek. X – IX para erës sonë) e deri në periudhën e vonë romake (shek. IV – V të erës sonë). Gjatë mesjetës , kjo hapesirë duket që është përdorur si varrezë, duke iu mbivënë funksioneve që ka patur në periudhat e mëparshme. Punimet nga ana e kontraktorit të TAP kanë ndaluar menjëherë sapo janë vënë re rrënojat arkeologjike . Përfaqësuesit e trashëgimisë kulturore të këtij institucioni kanë kryer vlerësimin e kësaj gjetje rastësore, ndërkohë që Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë nisi gërmimet e shpëtimit . Zona është rrethuar dhe punimet për ndërtimin e TAP pritet që të rifillojnë pas një muaji, kur institucionet përkatëse të kenë përfunduar vlerësimin dhe raportin e tyre.Më shumë se 30 ekspertë të trashëgimisë kulturore dhe arkeologë janë bërë pjesë e projektit TAP për të ndjekur nga afër ndërtimin e gazsjellësit në Shqipëri. Në korrik të vitit 2016, TAP zbuloi në zonën e Skraparit një kapitel të shekullit VI. Të gjitha artefaktet dhe gjetjet arkeologjike u janë dorëzuar autoriteteve përkatëse shqiptare, të cilat sigurojnë ekspozimin e tyre për publikun.

Sicred