KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Korçë, shtohet interesi për mbjelljen dhe eksportin e bimëve mjekësore

Korçë, shtohet interesi për mbjelljen dhe eksportin e bimëve mjekësore

Kostot e ulëta të prodhimit, çmimet e favorshme dhe tregu i sigurtë për bimët mjekësore, kanë bërë që një pjesë e mirë e fermerëve në qarkun e Korçës të tregojnë interes të shtuar për kultivimin e tyre. Sipas Vullnet Gjollës, drejtori rajonal i bujqësisë, Qarku i Korçës ka rreth 650 ha të mbjella me bimë medicinale të llojeve të ndryshme, ose mbi 160 ha mëshumë se viti i kaluar.
Fermerët thonë se toka dhe kushtet klimaterike favorizojnë mbjelljet e bimëve medicinale. Më e përhapur është lulja e cianit. ” Ka pak shpenzime, por ka më shumë sfilitje” thotë një fermere. ” Ne mbjellim me krahë e vaditim me kova dhe vjeljen e bimëve e bëjmë mes vapës” shton ajo. “Çfarë të bëjmë? Nga të vemi? Ku kanë punë djemtë, çupat?” pyet një grua e moshuar.
Destinacioni i këtyre bimëve ështe tregu rajonal dhe evropian që nga Maqedonia, Bullgaria, Polonia, Gjermania etj. “Vjet shkoi mire…sivjet nuk e di se si do shkojë” thotë një fermere. Por për Vullnet Gjollës, drejtori rajonal i bujqësisë, ndërsa vitin e kaluar nga ky qark u eksportuan 900 tonë bimë mjekësore, vetëm në 5 muajt e parë të këtij viti janë eksportuar 600 tonë. “Shpresojmë të tejkalojmë eksportet e vitit të kaluar” thotë ai.