KRYEFAQJA » LAJME » Korçë, mbledhja mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosoves

Korçë, mbledhja mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosoves

Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës mbajnë sot një mbledhje të përbashkët në qytetin e Korçës. Kjo është mbledhja e katërt e qeverive të dy vendeve, me qëllim intensifikimin e bashkëpunimit mes tyre, veçanërisht bashkëpunimit ekonomik. Ky takim i përbashkët i dy qeverive do të zhvillohet në shtëpinë e flamurit në Korçë. Ky është aktiviteti i parë që po zhvillohet në këtë godinë pas investimit për ringritjen e tij me fonde nga Ministria e Kulturës. Tashmë janë drejt fundit përgatitjet për të mirëpritur kryeministrat e dy vendeve dhe anëtarët e qeverive përkatëse. Mbledhja e parë u zhvillua me 11 janar 2014 në Prizren, e dyta zhvillua me 23 mars 2015 në Tiranë, dhe e treta me 3 qershor 2016 në Prishtinë. Qeveria shqiptare në këto mbledhje është drejtuar nga kryeministri Rama, ndërsa përballë tij kanë qënë kryeministrat, Thaçi dhe Mustafa. Ndërkaq në Korçë homologu i zotit Rama do të jetë zoti Haradinaj. Axhenda e mbledhjes së dy qeverive, fillon me mbërritjen e delegacionit të Republikës së Kosovës përpara Shtëpisë së Flamurit rreth orës 15:30 minuta. Për të vijuar më pas me pritjen zyrtare të Kryeministrit të Kosoves Ramush Haradinaj nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Në orën 16:00 do të çelet sesioni plenar i mbledhjes së dy qeverive, i cili do të vijoje me nënshkrimin e marrëveshjeve qeveritare, për të përfunduar me një konferencë të përbashkët për shtyp të dy kryeministrave. Dita do të mbyllet me një darkë zyrtare shtruar nga Kryeministri i Shqipërisë në nder të atij të Republikës së Kosoves dhe delegacioneve të dy qeverive. Ndërkohë nesër me 28 nëntor, delegacionet do të nisen drejt qytetit të Vlores, ku do të marrin pjesë edhe në festimet e 105 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Sicred