KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Korçë: Drama “8 femrat” për herë të parë në skenën e re të teatrit “Andon Zako Çajupi”

Korçë: Drama “8 femrat” për herë të parë në skenën e re të teatrit “Andon Zako Çajupi”

“8 femrat” ka bërë bashkë për herë të parë në skenën e re të teatrit Andon Zako Çajupi disa nga aktorët më të mira të skenës shqiptare si Yllka Mujo, Olta Daku, Rajmonda Bulku , Zamira Kita, Merita Cocoli si dhe brezin e ri të aktorëve që do të vazhdojnë traditën e aktrimit në teatër si Klodjana Keco, Blerta Belliu, Ilda Pepi dhe Paola Kodra. Komedia pa dramën bëhet e parëndësishme dhe drama pa komedinë bëhet e lodhshme shprehet regjisorja Driada Dervishi ndërkohë që thotë se është e privilegjuar që shfaqjen e parë në teatrin e rikonstruktuar, po e vë ajo në skenë. “Për mua është një privilegj që pikërisht shfaqja e parë në teatër inagurohet i gjithi me ktë aromë femërore. Do të thotë shumë për të gjitha aktoret, regjisoret, skenografët, kostumografët dhe unë madje që në fillim e kam quajtur “8 femrat” si një dedikim për të gjitha rolet që janë shkruajtur nga dramaturgët për femrat dhe janë luajtur nga meshkujt” tha regjisorja e shfaqjes Driada Dervishi.
Komedia zbërthen misterin e gënjeshtrave, të fshehtave që mbanin anëtarët e një familjeje ndërmjet njëra-tjetrës si dhe intrigave që ato thurrnin për marrjen e testamentit të pasurisë nga gjyshja. Të gjitha këto zbulohen nëpërmjet një provokimi që thur babai me vajzën e vogël dhe lojës që zhvillohet më pas për të zbuluar vrasësin e babait, një vrasje e trilluar kjo nga vajza e vogël dhe që nxjerr në pah të vërteta tronditëse të kësaj familjeje.
“Shfaqja është shumë interesante, është shumë atraktive, ka shumë humor, ka shumë situata” tha aktorja Yllka Mujo.
Ndërsa Zamira Kita tha “sigurisht që në jetë nuk jemi ashtu siç do të realizojmë personazhet por kto personazhe vijnë shumë bukur të lidhura fort me njëra-tjetrën duke pasur vrasje në fillim të veprës dhe gjithë misteri për të zbuluar se kush e ka vrarë”.
Komedia në premierën e saj ka mbajtur publikun të mbërthyer përreth 2 orë dhe është shoqëruar nga të qeshura e duartrokitje. Ajo do të shfaqet sërisht sot, ku do të shënoje edhe çeljen e “Festivalit Mbarëshqiptar të Komedisë KokoFest 2017” i cili do të zgjatë për 1 javë me shfaqje të ndryshme.

Sicred