KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Korçë, bie interesi për kultivimin e grurit

Korçë, bie interesi për kultivimin e grurit

Driton Topçiu është fermer nga fshati Ravonik i Korces. Ai punon bashkë me familjen e tij dhe prej vitesh jetojnë me kultivimin dhe shitjen e kulturave bujqësore. Nëse disa vite më parë një pjesë të konsiderueshme të tokës e mbillnin me grurë, sot ai u është drejtuar kulturave të tjera kryesisht perimeve. Kjo pasi ka rënë ndjeshëm interesi për mbjelljen e grurit.
Dritoni tregon se kultivimi i grurit ka kosto tepër të lartë, ndërsa çmimi në treg për shitjen e tij është mjaftë i ulët. Madje sipas fermerit edhe atë pak grurë që vazhdon ta mbjellë e përdor si ushqim për kafshët. “Ka rënë çmimi grurit dhe s’ka leverdi që ta mbjellim, s’ka fitim” thotë ai. Sipas tij sivjet është çmimi më i ulët, 26 lekë kilogrami, ndërsa kostoja është shumë e lartë. “Del jo me fitim, por me humbje” thotë Dritoni. “Çmimet e plehrave janë të larta dhe ato nuk janë cilësore” shton ai.
Si Dritoni edhe shumë fermerë të tjerë i janë larguar kultivimit të grurit duke e ulur siperfaqen e mbjellë me këtë kulturë bujqësore me rreth 30 përqind. Këtë e pranojnë edhe specialistët e drejtorisë së Bujqësisë në Korçë. Specialisti i Shërbimit Këshillimor Arben Hysolli thotë se vitet e fundit tendenca e fermerëve ka shkuar drejt kultivimit të perimeve dhe shtimit të sipërfaqeve të pemëtoreve. “Gruri, një kulturë bazë për fermerin korçar vitet e fundit ka rënie të ndjeshme. Kjo për vetë tendencën e fermerëve drejt kulturave intensive si ato perimore, drufrutore” thotë zoti Hysolli. Në qarkun e Korçës kultivohet rreth 15.500 ha me grurë ku tashmë ka filluar korja e tij.