KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Kontrolli teknik i automjeteve, një tmerr pa fund

Kontrolli teknik i automjeteve, një tmerr pa fund

Kontrolli teknik i automjeteve vijon të shqetësojë përdoruesit e mjeteve motorike. Rradhët e gjata të pritjes para pikave të kontrollit është pamja që të ofrohet në çdo fund viti. Por ka edhe me keq se kaq. Kompania e njohur ndërkombëtare SGS, që ofron me konçension shërbimin e kontrollit të mjeteve, nuk duket se ofron standardet që ka emri i saj. Shërbimi monopol i kolaudimit të makinave, nuk po i garanton shqiptarëve standardet e duhura.
RTSH kërkoi një shpjegim për këtë. Për katër ditë me rradhë autoritetet nuk iu përgjigjën interesimit tonë. Madje grupin e xhirimit e lanë pas hekurave të koncensionit për më shumë se tre orë. Drejtori i Përgjithshëm i SGS kërkoi jozyrtarisht që kronika e RTSH të shtyhej për një javë. Ne nuk i kërkuam SGS të shtyjë orarin e kolaudimit përtej atij zyrtar për të mos i lënë shqiptarët në një shërbim mizerabël, të padenjë jo vetëm për këtë kompani europiane, por më shumë se kaq.
Në disa pika të kompanisë nëpër Shqipëri shfaqen radhët e pafundme të mjeteve në pritje të kolaudimit. Pse ndodh kjo, ky ritual i përvitshëm? Pse kompania nuk ofron një zgjidhje? Kush e pengon? SGS nuk ka përgjigje për këtë. Ndërsa RTSH, që i është drejtuar zyrtarisht koncensionarit pret një shpjegim.
As autoritetet shqiptare që mbikqyrin koncensionin nuk kanë një përgjigje. Njësia përkatëse e menaxhimit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, prej vitit 2009, nuk ndihet për këtë shqetësim të përvitshëm, ndërsa burimet zyrtare i thanë RTSH se “për momentin nuk mund të flasim ne”!
Sa për histori. Në vitin 2009, kur në pushtet ishte PD dhe qeveria e saj, shërbimi i Kontrollit Teknik të Automjeteve i është dhënë me koncesion kompanisë zvicerane SGS, Societe Generale de Surveillanc. Socialistët në atë kohë në opozitë e konsideruan koncesionin si një prej aferave korruptive të Qeverisë Berisha. Por pas fitores së qershorit 2013, qeveria e tyre nuk e ka prekur koncesionin. Argumenti ka qenë se prishja e kontratës do t’i kushtonte shumë shtrenjtë shtetit shqiptar.
Këtij shërbimi të detyrueshëm, i nënshtrohen çdo vit mbi 450 mijë mjete të regjistruara në Shqipëri, duke përfshirë edhe automjetet që sapo kanë dalë nga fabrika, që sjellin miliona fitime për koncensionarin. Pagesa për mjetet e vogla është 1960 leke dhe për kamionat 2700 lekë. Kontrata koncensionare e miratuar nga Qeveria Berisha në 2009, i siguron kompanisë zvicerane monopolin e plotë mbi këtë shërbim për dhjetë vite.
Por kudo në rajon apo më gjerë, ky treg është i liberalizuar dhe mund të kryhet edhe nga qindra subjekte të çertifikuara.
Diçka e tillë siguron çmime të ulta, si dhe shërbim më të shpejtë. Nga ana tjetër, referuar bilanceve zyrtare të kompanisë, SGS derdh në arkën e shtetit, në formën e tarifës koncesionare vetëm 5 përqind nga fitimi vjetor.
Shqiptarët presin në rradhë, koncensionari nuk flet, por vetëm mbledh miliona. Në çdo 100 makina, 45 prej tyre kthehen mbrapsh dhe nuk e kalojnë provën. Nëse i pyet kontrollorët e SGS se kush e ka fajin makina apo karburanti, ata nuk japin përgjigje. Ky është tmerri pa fund i një koncensioni monopol që veç të tjerash nuk respekton as ligjin për informim dhe transparencë.