KRYEFAQJA » LAJME » Kontrolli i emigrantëve, Mali i Zi vendos ushtrinë në kufirin me Shqipërinë

Kontrolli i emigrantëve, Mali i Zi vendos ushtrinë në kufirin me Shqipërinë

Mali i Zi do të kontrollojë kufirin me Shqipërinë me trupa të ushtrisë për shkak të emigrantëve. Mediat e Podgoricës e kanë njoftuar këtë duke iu referuar Qeverisë së Malit të Zi që ka autorizuar Ministrinë e Mbrojtjes të vendosë ushtrinë për të ndihmuar në trajtimin e një krize emigrimi. Vendimi i hap rrugën ushtrisë që të vendosë patrulla të përbashkëta me forcat e policisë. Nga të njëjtat burime bëhet e ditur se operacioni fillon të enjten në kontrolle të zonës rreth kryqëzimit të Bozajit, në kufirin me Shqipërinë që është pak kilometra nga kryeqyteti Podgoricë.
“Kufiri do të kontrollohet nga policë të përzier dhe patrulla të ushtrisë, kryesisht për të parandaluar kalimet e paligjshme të kufirit shtetëror me Shqipërinë, si dhe veprime të tjera të paligjshme në zonën kufitare” bën të ditur ministria e mbrojtjes.
Është po ministria e mbrojtjes që ka bërë të ditur se ka qenë një vendim i Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë i datës 11 korrik, ai që i ka hapur rrugën operacionit të miratuar nga Presidenti, kryeministrin dhe kryetari i parlamentit të Maqedonisë. Këshilli që ka analizuar gjendjen, citohet të jetë shprehur një muaj më parë se siguria në kufi ishte “e kënaqshme”, por se trupat do të angazhohen deri në fund të vitit 2018.
Frontex që deklaroi të dhëna të reja pak dite më parë, tha se fluksi i përgjithshëm i vërshimit drejt perëndimit ka rënë, sidomos krahasuar me një vit më parë. Por deklarimet zyrtare të Malit të Zi në qershor kanë shkuar megjithatë deri në kërkesën për një marrëveshje me Frontex, për të mbrojtur kufirin e saj me Shqipërinë.
“Përvoja ka dëshmuar se asnjë vend në rajon i goditur nga valët migratore mund ta luftojë këtë fenomen vetë”, ka arsyetuar qeveria malazeze, ndërkohë që Frontex vetë lidhet me kufijtë e jashtëm të BE-së. Megjithatë Mali i Zi e ka shmangur një situatë ekstreme të shumëpërfolur për një gardh 26 km me Shqipërinë, madje të ofuar edhe nga kryeministri hungarez në maj të këtij viti. “Për tani, nuk ka arsye për këtë” thanë burime të qeverisë malazeze.

Sicred