KRYEFAQJA » LAJME » Konçesioni i laboratorëve, protestojnë mjekët dhe laborantët

Konçesioni i laboratorëve, protestojnë mjekët dhe laborantët

Mjekë dhe teknikë të mjeksisë laboratorike të QSUT kanë protestuar të mërkurën ndaj dhënies me konçesion të plotë të këtij shërbimi në sistemin publik. Sipas tyre përveç se ju rrezikohet vendi i punës, edhe cilësia e analizave vihet në pikpyetje, pasi shteti nuk ka mekanizma kontrollues.

Gramoz Iljazi kryetar i shoqatës së Teknikëve të Mjekësisë Laboratorike Shqiptare tha se “Sipas ministrit, në momentin e konçesionimit të gjithë teknikët e laboratorit që janë rreth 700 në të gjithë vendin, i kalohen konçesionarit’ tha ai .

Merita Kamberi teknike e lartë e mjeksisë laboratorike në QSUT thote se “Ne nuk jemi kundër partneritetit publik privat . Jemi kundër konçesionimit të plotë. Siç u dha me konçesion pjesa e sterilizimit të instrumentave kirurgjikale dhe kirurgjia mbeti administrim shtetëror, ashtu edhe tek laboratotët të jepet menaxhimi i kiteve dhe reagenteve por burimet njerzore dhe logjistika të mbeten ashtu siç janë . Kjo sepse shteti nuk ka mekanizma të kontrolloje cilësinë e analizave” thotë zonja Kamberi. Ajo kujton se “Diagnoza klinike është një siguri kombëtare. Në rast se do të kemi ndonjë epidemi, apo sëmundshmëri të shtuar, atëherë kemi të bëjmë me një situatë të sigurisë kombëtare. Do të përgjigjet ty konçesionari për këtë? Por nëse falimenton konçesionari, çfare do të ndodhë brenda një ore?” pyet ajo. Kësaj proteste i janë bashkuar duke lënë punën për një orë edhe punonjësit e laboratorit të spitalit rajonal të Durrësit .

Në një reagim zyrtar Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar se mjekëve në këtë sektor, nuk do t’u cënohet kontrata e punës, ndërsa ka siguruar se ky partneritet publik privat do të zgjerojë dhe përmirësojë ndjeshëm cilësinë e shërbimeve. “Ju bëjmë me dije se mjekët e punësuar në laboratorët e spitaleve do të vazhdojnë të kenë një kontratë me spitalet publike. Disa do të punojnë në laboratorët që do të jenë brenda mjediseve të spitaleve publike, dhe do të drejtojnë procesin mjekësor të laboratorëve, dhe disa të tjerë do të punojnë me mjekët e spitalit për të interpretuar gjetjet laboratorike dhe përmirësuar diagnozat. Teknikët laboratorikë do të punësohen nga kompania që do të krijohet specifikisht për zbatimin e kontratës së PPP-së” spjegon ministria. Gjithnjë sipas dikasterit të shëndetësisë, laboratorët e spitaleve universitarë jo vetëm që do të ruajnë fizionominë që kanë, por do të fuqizohen, standardizohen dhe akreditohen, duke përfituar nga investime serioze që në vitin e parë të zbatimit të kontratës, jo vetëm duke përmirësuar cilësinë e shërbimeve që ofrojnë, por edhe duke garantuar vijimësinë e shërbimeve që do të kryejnë thuhej në reagimin e ministrisë së shëndetësisë.

Skema e Partneritetit Publik Privat do të aplikohet fillimisht në 18 spitalet rajonale të vendit, përfshirë edhe Tiranën. Projekti në bashkëpunim me IFC nuk dihet se kur do të nisë nga zbatimi, por kontrata me konçesionarin është 10 vjeçare.