KRYEFAQJA » LAJME » Komisioni parlamentar i medias, seancë dëgjimore me drejtuesit e RTSH

Komisioni parlamentar i medias, seancë dëgjimore me drejtuesit e RTSH

Komisioni Parlamentar i Medias thirri të martën në një seancë dëgjimore Drejtorin e Përgjithshëm të Radio Televizonit Shqiptar zotin Thoma Gëllçi. Anëtarët e komisionit ishin të interesuar mbi problematikat që lidhen me trajtimin e punonjësve dhe gazetarëve, duke nisur nga kërkesa për sqarimin e masës administrative të dhënë për një nga gazetaret e dhomës së lajmeve në median më të madhe të vendit.
“A përbën masa ndëshkimore që ju keni marrë kërcënim i të drejtave kushtetuese?” pyeti deputetja e opozitës Albana Vokshi. Ajo ju referua nenit 22 pika 1 sipas të cilit “Liria e shprehjes është e garantuar” si dhe disa neneve të tjerë kushtetues.
Nga ana e tij zoti Gëllçi sqaroi se “Në bazë të kontratës që kanë firmosur gazetarët e RTSH dhe në bazë të parimeve editoriale dhe Statutit të RTSH, atyre u ndalohet ti bëjnë konkurrencë televizionit ku marrin rrogën. U ndalohet që informacionet e mbledhura me rrogën e RTSH ti përdorin në televizionet e tjera”.
“A është kjo një masë e marrë nga ana juaj menjëherë sapo u përmend vëllai i kryeministrit që lidhet me dosjen “Xibraka”, sapo u përmend dosja “Tahiri”, sapo u përmendën lidhjet e krerëve të policisë me trafikun e drogës” ishte një tjetër pyetje e zonjës Vokshi.
Në përgjigje të saj drejtori i përgjithshëm i RTSH Thoma Gëllçi tha se nëse “…do të denoncojnë në RTSH lidhjet e drogës me nivele të larta apo korrupsionin në nivele të larta, gazetarët e RTSH janë të inkurajuar dhe të shpërblyer këtë gjë”. “Më thuaj një gazetar që është hequr nga puna, një gazetar?” pyeti zoti Gëllçi.
Duke vazhduar replikën deputetja e PD Albana Vokshi tha se gazetarja ishte kërcënuar dhe shantazhuar, por kjo u kundërshtua kategorikisht nga zoti Gëllçi. “Gazetarët duhet i shërbejnë profesionalizmit dhe të mos jenë shërbëtorë të zëdhënësave të qeverisë” tha drejtori i përgjithshëm i RTSH.
Pjesë e dëgjesës ishte edhe nisma e ndërmarrë për testimin e gazetarëve të Radio Televizionit Shqiptar, për të cilën në komision u regjistruan këto deklarime:
“Duke patur shqetësimin që testimi po bëhet si një masë presioni dhe shantazhi dhe ndaj gazetarëve të tjerë të RTSH…” tha deputetja e PD Albana Vokshi, por drejtori i përgjithshëm i RTSH Thoma Gëllçi u përgjigj se “Kjo nuk shoqërohet me heqje nga puna, apo masa të tjera. Ajo është thjesht për të krijuar një ide që propozimet e Këshillit Drejtues të venë më të mbështetura se si do të ndryshojë kjo strukturë lajmesh”.

Sicred