KRYEFAQJA » LAJME » FIFA Rusi 2018 » Kombëtaret e Perusë, Nigerisë dhe Kosta Rikës
Kombëtaret e Perusë, Nigerisë dhe Kosta Rikës

Kombëtaret e Perusë, Nigerisë dhe Kosta Rikës

Presidenti i Perusë, Martin Vizcarra ka takuar kombëtaren e futbollit. Ka qenë trajneri Rikardo Gareka i cili i ka dhuruar presidentit një bluzë të kombëtares. Vizcarra i ka dhënë më pas flamurin kapitenit të ekipit Alberto Rodrigez. Presidenti i Perusë i ka bërë thirrje të gjithë futbollistëve që të japin maksimumin në fushë, të luajnë me zemër për të bërë më të mirën në botërorin e Rusisë. “Jepni maksimumin në fushë, luani me shpirt dhe zemër. Nëse do të bëni përpjekjet e duhura, jam i bindur se aftësitë tuaja do të bëjnë që Peruja të shkojë në një pozicion më të mirë” – tha presidenti. Më pas ai ka bërë edhe një fotografi me të gjithë ekipin. Ndërsa është takuar me gjithsecilin prej futbollistëve. Kombëtarja e Kosta Rikës vazhdon përgatitjet për finalet e Botërorit Rusi 2018. Nën drejtimin e trajnerit Oscar Ramirez, futbollistët kanë zhvilluar seancat stërvitore, të ndërthurur me ushtrime dhe vrapime. Portieri Keilor Navas vazhdon përgatitjet me trajnerin e tij. Mesfushori David Guzman, u shpreh se do të japin maksimumin për të mbrojtur ngjyrat e kombëtares në Rusi. “Kjo është një mundësi që ne e prisnim të gjithë. Tani jemi këtu, dhe duhet t’i japim më të mirën, për mbrojtur ngjyrat tona kombëtare dhe të bëjmë historinë”. Ndërsa mbrojtësi Francisco Calvo u shpreh: “Ne jemi një grup konkurrues dhe duke i bërë presion vetes kërkojmë më të mirën. Ju garantoj se çdo ndeshje që ne luajmë, kemi detyrimin për të fituar atë. Nuk po shkojmë në Rusi pa pretendime”. Futbollistët e kombëtares së Nigerisë kanë shkuar në vilën presidenciale për t’u takuar me presidentin e vendit Muhamad Buhari. Obi Mikel, një nga lojtarët e njohur të kombëtares nigeriane u shpreh se edhe pse shkojnë në një botëror pa asnjë shpërblim nga ana financiare ata do të japin maksimumin. ndërsa trajneri i Nigerisë, Gernot Rohr, tha se megjithëse kanë në grup skuadra të vështira, ata do të bëjnë përpjekjet maksimale për ta kaluar atë: “Ne e dimë se kemi grup të vështirë me Argjentinën, Kroacinë dhe Islandën. Shpresoj të kalojmë grupin dhe mendoj se lojtarët e mi janë në gjendje ta bëjnë këtë”. Ndërsa presidenti i Nigerisë Buhari u shpreh: “Ju jeni skuadra më e re në turne, ka të ngjarë edhe ekipi më i papërvojë, një fakt që do të shfrytëzohet nga kundërshtarët tuaj. Por mos harroni se ju do të keni mbështetjen e plotë dhe bekimet e të gjithë nigerianëve, të cilët do t’ju përkrahin për sa kohë që ju do të jeni në turne”.

Sicred