KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Kolombia largon Poloninë nga “Rusi 2018”

Kolombia largon Poloninë nga “Rusi 2018”

Dita e 11-të e Kampionatit të 21-të Botëror të Futbollit është mbyllur me ndeshjen midis Polonisë dhe Kolombisë, që është mbyllur me rezultatin 0- 3.
Të dyja skuadrat erdhën në këtë sfidë pasi i kishin humbur ndeshjet e para dhe të ndërgjegjshme se një humbje në ndeshjen e dytë nënkuptonte eliminimin.
Në fakt, pjesa e parë e takimit të luajtur në Stadiumin “Kazan Arena” ka qenë e një niveli mesatar, me Poloninë po aq të vakët dhe të paqartë në lojën e saj sa ç’ishte në humbjen e para 4 ditëve me Senegalin, dhe me Kolombinë që zhvillon një vëllim më të madh loje dhe që e hedh më tepër vështrimin drejt portës kundërshtare. Dhe rastet nuk kanë munguar, por ka munguar finalizimi i saktë.
Megjithatë, amerikanolatinët do ta gjejnë rrugën e rrjetës 5 minuta para fundit të pjesës së parë, kur një gabim në dalje e portierit polak Zheznji, i jep mundësi Jerri Minas të mos e ketë të vështirë të përcjellë topin në rrjetë me një goditje me kokë.
Me këtë epërsi mimimale të kolumbianëve do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta do t’i shohë ata të administrojnë rezultatin përballë një Polonie të dobët. Kolombia do ta gjejë edhe golin e dytë me anë të Radamel Falkaos, që realizon në minutën e 70-të.
Polakët janë demoralizuar nga goli, por sidoqoftë nisin të rrezikojnë gjithçka për gjithçka dhe, siç ndodh në këto raste, ndëshkohen nga një kundërsulm i kolumbianëve, që finalizohet me gol nga Kuadrado.
Kolumbia fiton 3-0 dhe rikthehet kështu në valle për një vend në fazën tjetër të këtij Botërori, teksa Japonia dhe Senegali ndajnë kreun me nga 4 pikë, një më tepër sesa amerikanolatinët e vendit të 3-të, kur ka mbetur edhe një ndeshje për t’u luajtur në grupin H.

 

Sicred