KRYEFAQJA » LAJME » Kolegji i Apelimit ende pa vendim për vettingun e ish-kryeprokurorit

Kolegji i Apelimit ende pa vendim për vettingun e ish-kryeprokurorit

Në dy momente e atakoi sot komisioneri publik vendimin e kolegjit të pavarur të kualifikimit për të ndalur vettingun për ish kryeprokurorin Adriatik Llalla. Sipas komisionerit publik, dorëheqja e Llallës është nul pasi nuk ka ndjekur proçedurat ligjore. Gjithashtu Llalla duhet të ishte pjesë e vettingut pasi gëzon statusin e magjistratit.

“Në vlerësimin e Komisionerit Publik, KPK nuk duhej t’i ndalonte Llallës proçesin e vettingut. Statusi i magjistratit për Llallën nuk mbaronte me deklaratën e dorëheqjes drejtuar Presidentit të Republikës. Doreheqja duhet të paraqitet pranë KLP ose KLGJ, thotë ligji. Kur ende nuk janë ngritur këto komisione, kërkesa duhet t’i ishte drejtuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Llalla nuk ka ndjekur proçedurën ligjore për paraqitjen e dorëheqjes” tha Komisioneri Publik Florian Ballhysa.

Ndërsa mbrojtja ka asistuar me pretendimin se KPK e ka vlerësuar si të ligjshëm proçedurën e dorëheqjes. Avokati mbrojtës i Llallës, Sokol Azizaj, tha gjithashtu se edhe pretendimi i statusit të magjistratit nuk qëndron pasi Llalla ka dhënë njëherë dorëheqjen si prokuror në vitin 2008. Ai shtoi se “KPK ka vlerësuar se proçedura e dorëzimit të dorëheqjes është e rregullt. Vendimi i 16 shkurtit 2018 i KPK që ndërpreu vleresimin kalimtar është i drejtë, ligjor dhe normal. Subjektit i ndërpritet vleresimi kalimtar në momentin kur ai paraqet dorëheqjen, thotë ligji. Përsa i përket statutit të magjistratit, Llalla në vitin 2008 ka dhënë dorëheqjen nga detyra e prokurorit të Tiranës pasi u emërua kryeinspektor i ILDKP-së” theksoi më tej avokati i Llallës Sokol Azizaj.

Seanca nisi me paraqitjen e prokures së përfaqësimit që Llalla ka nënshkruar për avokatin Sokol Hazizaj. Interesant ishte fakti se ku është nënshkruar prokura. Sipas trupes gjykuese Llalla e ka firmosur atë në një noter publik në Turqi, çka konfirmon edhe vendodhjen e Llalles në këtë shtet, të paktën deri në ditën që u firmos prokura, 28 maj 2018. Kolegji i Apelimit vendosi datën 6 qershor për të dëgjuar konkluzionet përfundimtare për ti hapur rrugën vendimit nëse Ish kryeprokurori do ti nënshtrohet apo jo vettingut.

Sicred