KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Kolaudimi i pompave të karburanteve, një konçesion i ri

Kolaudimi i pompave të karburanteve, një konçesion i ri

Qeveria shqiptare ka miratuar një konçesion të ri në fushën e shpërndarjes së karburanteve. Pas markimit tyre, në duart e privatit pritet të kalojë edhe kolaudimi i pompave të karburanteve. Aktualisht ky shërbim kryehet nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, një institucion në varësi të ministrisë së financave. Referuar vendimit të qeverisë, procedura e kolaudimit të pompave do ti kalojë një kompanie private për një periudhe 20 vjeçare.
Në mbledhjen e së mërkurës qeveria i ka dhënë dhe një bonus prej 10 pikësh kompanisë Noa Control e cila ka propozuar koncensionin në fjale. Bonusi i jep avantazh në tender kompanisë që është vetofruar për të marrë përsipër kontrollin e pompave të karburanteve.
Noa Control është krijuar 3 vite me parë dhe sipas ekstraktit të qendrës kombëtare të biznesit është në pronësi të Gentian Sulës.
Aktualisht, Drejtoria e Metrologjisë kolaudon dy herë në vit pompat në pikat e karburanteve për të kontrolluar peshën dhe disa elemente të sigurisë së karburanteve. Kompanitë që marrin shërbimin e saj duhet të paguajnë një tarifë shërbimi prej 7 mijë lekesh të reja. Në total shërbimi gjeneron 2.5 milione euro të ardhura vjetore.
Ende nuk është e qartë se cili do të jetë ndikimi i këtij shërbimi në çmimin e karburanteve në Shqipëri i cili është ndër më të lartit në rajon. Por vazhdimisht një nga ankesat e konsumatorëve shqiptar mbetet cilësia dhe sasia e karburanteve.

Sicred