KRYEFAQJA » LAJME » Kokëdhima në #Përballë: Ndryshimi i sistemit, kryereforma që na duhet!
Kokëdhima në #Përballë: Ndryshimi i sistemit, kryereforma që na duhet!

Kokëdhima në #Përballë: Ndryshimi i sistemit, kryereforma që na duhet!

Lutfi Dervishi: Mirëmbrëma! Nëse do të flisnim për një njeri të suksesshëm në biznes, një njeri që ka media të suksesshme dhe një njeri që merr një ekip futbolli dhe një njeri që shkon në politikë, shumë kujt prej jush do t’ju vijë në mendje Berluskoni, karriera e një biznesmeni të suksesshëm që pati sukses edhe në politikë. Por në anën tjetër të Adriatikut, një biznesmen shqiptar, biznesmeni i parë shqiptar , milioner që në vitin 1991, pas suksesit në biznes, arriti të ketë sukses edhe në media, në ndërtimin e një grupi mediatik në Shqipëri, mori edhe një ekip futbolli dhe më pas hyri edhe në politikë. Por jo me fatin e Berluskonit, por me një fat më të vështirë, siç është beteja politike në Shqipëri. Pasi kaloi në politikë, u përpoq të reformonte Partinë Socialiste me një lëvizje nga brenda. Nuk ia arriti dot dhe krijoi një parti politike që quhet Zgjidhja. Sonte në “Përballë” është z. Koço Kokëdhima. Z. Kokëdhima, mirë se erdhët në emisionin “Përballë”.

Koço Kokëdhima: Shumë faleminderit për ftesën tuaj. Më lejoni t’ju them se kam ardhur me shumë kënaqësi në këtë bashkëbisedim sonte. Jo vetëm nga mënyra se si është ndërtuar studioja juaj, pa zhurma, por kryesisht nga aftësia juaj për të biseduar. Në këtë pikpamje kjo studio është ndofta një ishull shumë i izoluar. Unë shpresoj dhe uroj që sonte të kemi një bashkëbisedim siç ju jeni në gjendje dhe keni meritën ta zhvilloni. Debat bëhet kudo, por vetëm në studion tuaj bisedohet.

Lutfi Dervishi: Gjatë këtij ishulli shpresojmë të ngremë edhe disa dallgë që ta bëjmë ishullin edhe më interesant. Z.Kokëdhima, ka një fjalë të urtë që thotë: Nuk ka njeri më të largët se ai me të cilin ti ke ndenjur pranë. Sa larg jeni sot nga zoti Rama, si njeri dhe si kryeministër?

Koço Kokëdhima: U jam shmangur gjithmonë përgjigjeve të pyetjeve që lidhen me raportet e mia me Ramën, në fakt, dhe këtë gjë nuk e kam bërë pa qëllim, sepse mendoj që gjithmonë të fokusohemi te çështjet që kanë interes për opinionin publik. Unë e konsideroj Ramën një problem të madh për Shqipërinë, në një kohë që në një të shkuar tjetër e konsideroja një shans për Shqipërinë. E kam mbështetur shumë vite Ramën dhe nuk jam hiç pishman që e kam bërë. Do ta bëja për çdo lider tjetër të Partisë Socialiste, sepse unë jam një i majtë i deklaruar dhe padyshim që do të mbështesja liderin e së majtës.

Lutfi Dervishi: Zoti Kokëdhima, nga shansi tek problemi i madh, nuk ka kaluar ndonjë periudhë e madhe kohore. Ju dalloheni për nuhatje të madhe jo vetëm në biznes, por edhe në politikë. Keni gabuar rëndë me zotin Rama që e keni quajtur shans, dhe shumë shpejt jo vetëm një problem shumë të madh, por unë kam nxjerrë disa shprehje që opozita nuk i ka thënë në 8 vite për zotin Rama. Më lejoni që të citoj që është një njeri që ka mbërritur në pikën e fundit, që Rama vendos se kush duhet të punojë, kush duhet të fitojë, kudh duhet të ikë, kush duhet të rrijë, kush të jetojë e kush të vdesë. E keni quajtur qeveri tutkune, kryeministri më i paaftë në botë, një njeri që duhet marrë nën hetim, një njeri që ka kriminalizuar çdo qelizë të politikës dhe shoqërisë shqiptare. Që ka blerë median me para të pushtetit. Domethënë duket sikur të gjitha aftësitë, të gjithë cilësitë e një njeriu negativ tashmë janë mbledhur tek miku juaj?

Koço Kokëdhima: Katër vite në pushtet është një kohë shumë e madhe, nuk është një kohë e shkurtër. Ne flasim këtu për performancën qeverisëse të një drejtuesi, nuk flasim këtu për çështje personale. Në këto katër vite, këto që unë kam thënë, janë manifestuar dhe janë dëshmuar plotësisht. Në qoftë se unë them të merret nën hetim kam parasysh në mënyrë specifike që droga ishte një vepër e qeverisë. Nuk e tradhtuan Ramën, as Tahiri dhe as të gjithë drejtuesit e policisë njëherësh. Nuk e tradhtoi e gjithë policia e shtetit me një marrëveshje. Policia e Shtetit edhe Saimir Tahiri zbatuan projektin e tij për kanabizimin e Shqipërisë. Në këtë pikëpamje unë kam thënë që ai duhet të merret nën hetim. Kur flas për tutkunët dhe për qeverinë e tutkunëve kam parasysh këto qeveritë e zotërisë, që ka marrë dhe ka bërë ministra njerëz që janë pa asnjë lidhje me shtetin, që nuk kanë bërë asgjë në jetë, s’kanë asnjë cilësi për të qenë ministër dhe për të drejtuar sektorët e rëndësishëm të jetës dhe ekonomisë së Shqipërisë.

Lutfi Dervishi: Zoti Kokëdhima, në këto që lexova, më bëri përshtypje një gjë që shumica e kritikave janë gjatë javëve dhe muajve të fundit. Kritika juaj e hapur ndaj zotit Rama, me epitete të forta, daton më datën 2 maj, ku thoni se Rama është gati t’i vërë flakën Shqipërisë për karrigen e tij dhe po atë ditë keni përdorur epitetin “sulltan i vogël”. Pra nga 2 maj i 2017-ës deri në fundin e dhjetorit të këtij viti.

Koço Kokëdhima: Përpjekja e Ramës për të bërë zgjedhje pa opozitën, pa Partinë Demokratike ishte një aventurë që e çonte Shqipërinë në destabilizim, në përplasje sociale dhe në flakë.

Lutfi Dervishi: Jam shumë dakord me këtë, por e kam fjalën tek koha dhe intensiteti i akuzave.

Koço Kokëdhima: Rama projektoi zgjedhje pa opozitën në periudhën shkurt-mars të vitit 2017. Nuk janë ngjarje që kanë filluar vite më parë. Këto ngjarje u zhvilluan në një periudhë të shkurtër. Dinamika e lartë e tyre ka sjellë në fokus formimin dhe sjelljen e kryeministrit. Imagjinoni çfarë do të ndodhte në qoftë se do të bëheshin zgjedhje pa opozitën e atëhershme. Ne nuk ishim krijuar si parti, në 2 maj, Zgjidhja është krijuar si parti në 23 maj. Ne ishim vetëm një lëvizje politike.

Lutfi Dervishi: Deri në datën 23 maj ose deri në datën 11 maj që ka qenë kongresi i Partisë Socialiste, ju keni shpresuar që do të punonit brenda Partisë Socialiste, për të imponuar nismën “Unë zgjedh deputetin që dua”. Është një shprehje në Mat që thotë sa më lart të ngjitesh, aq më të holla janë pemët. Domethënë, ku u zutë në befasi që nuk ndenjët më në pemën e Partisë Socialiste ?

Koço Kokëdhima: S’kishte ndonjë befasi për mua, lëvizja jonë është artikuluar shumë qartë.

Lutfi Dervishi: Që në nëntor të 2016-ës?

Koço Kokëdhima: Ajo i ka fillesat në mendimin tim për politikën e Shqipërisë, në të gjithë formimin dhe vizionin tim për atë se si duhet të jetë Shqipëria, sistemi politik dhe demokracia e brendshme në partitë politike. E vërteta është që ne nuk kishim në plan të bënim një parti. Ne donim të bënim një reformim të sistemit politik dhe të Partisë Socialiste. Kjo nuk u bë e mundur për arsye se Edi Rama, nuk ishte i hapur as për mendimin ndryshe, as për demokracinë dhe as për reformimin e Partisë Socialiste. Debati doli jashtë mureve të Partisë Socialiste nga fillimi i nëntorit 2016 e këtej. Në fund të prillit 2017, ne kishim regjistruar 20 mijë formularë anëtarësimi me mbështetësit e kësaj lëvizjeje, të cilët kishin nevojë për artikulim dhe shprehje politike.

Lutfi Dervishi: Ju keni thënë në 21 prill se më 29 prill do të marrim vendim për ta kthyer në parti politike.

Koço Kokëdhima: Po sigurisht sepse 29 prilli ishte dita e kongresit të Partisë Socialiste. Ne iu drejtuam asamblesë së Partisë Socialiste në 2 prill, nëse nuk gabohem, dhe pastaj kongresit ku i kërkuam që të pranonin platformën tonë, t’i nënshtrohej kjo platformë debatit, të hapej partia për mendimin ndryshe dhe të përfshihej Zgjidhja.

Lutfi Dervishi: Kjo nuk u bë dhe ju krijuat një parti tuajën. Pyetja ime është: Pse vazhdoni t’i shkruani Partisë Socialiste edhe pasi keni ndërtuar partinë tuaj? Në gusht të këtij viti, në mos gaboj, i keni shkruar një letër Asamblesë së Partisë Socialiste.

Koço Kokëdhima: Nuk jam i sigurt për këtë që thoni juve që i jam drejtuar Asamblesë.

Lutfi Dervishi: Në 28 gusht, “Në vend të një letre për asamblenë kombëtare”.

Koço Kokëdhima: A, në vend të një letre! Sigurisht që unë kam të drejtën time që t’u drejtohem qytetarëve të Shqipërisë, bazës së Partisë Socialiste, forumeve të saj dhe të gjitha formacioneve politike në Shqipëri, për çështje me interes kombëtar, me interes për shtetin dhe për progresin tonë. Dua që të them edhe diçka tjetër, për pyetjet e fillimit në lidhje me Ramën. Në emisionin e fundit televiziv ku kam qenë, në qoftë se nuk gabohem tek Zheji, kam kërkuar edhe një ndjesë publike pse kam mbështetur liderin e papërshtatshëm për Shqipërinë në vitet kur unë nuk isha në politikë.

Lutfi Dervishi: E keni fjalën për periudhën kur ka qenë lideri i opozitës dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës?

Koço Kokëdhima: Sigurisht, kur ishte lider i opozitës dhe unë e kam mbështetur si liderin e Partisë Socialiste. Unë besoja që Rama jo vetëm që nuk do të përsëriste gabimet e Sali Berishës dhe Partisë Demokratike, por do të shënonte një progres pozitiv dhe të lumtur për Shqipërinë dhe shqiptarët …

Lutfi Dervishi: Zoti Koço, vijmë te projekti i Zgjidhjes. Ju thoni që doni të ndaloni rënien e mëtejshme të pushtetit nga një palë maskarenjsh tek një palë maskarenjsh të tjerë. Domethënë ky është qëllimi që i keni shpallur projektit të Zgjidhjes, por para se të flasim për Zgjidhjen…

Koço Kokëdhima: Ta mbyll argumentin, të lutem.

Lutfi Dervishi: Po, patjetër.

Koço Kokëdhima: Edhe po të kthehej koha prapa, unë prapë do të bëja të njëjtën gjë. Do ta mbështesja liderin e opozitës, liderin e Partisë Socialiste, për të çmontuar dhe larguar nga pushteti Sali Berishën. Nga kjo pikëpamje unë nuk është se kam gabuar, edhe pse shpresat e mia për Edi Ramën …

Lutfi Dervishi: Po, pse kërkoni ndjesë kur nuk keni gabuar?

Koço Kokëdhima: Rama rezultoi lideri i gabuar për vendin.

Lutfi Dervishi: Edhe një pyetje në këtë pikë. Ajo që keni thënë në muajt e fundit është e bollshme për të kuptuar se çfarë opinioni keni ju për kryeministrin dhe performancën e tij. Por si një njeri që dalloni edhe kolore dhe jo vetëm bardh e zi, shikon ndonjë gjë që ka bërë mirë kryeministri në vitin e pestë?

Koço Kokëdhima: Nuk do të ndalem te viti i pestë, por në këto pesë vite. Sigurisht që pati disa përpjekje pozitive. Siç ishte përpjekja për të bërë reformën administrative. Gjithmonë e kam konsideruar atë një nga përpjekjet më të mira. Do të doja shumë që të ishte deri në fund një sukses për Shqipërinë dhe për qeverinë e Ramës, por fatkeqësisht ajo reformë ka mbetur në mes dhe nuk shkoi dot deri në fund. Të mirat e mundshme që ajo reformë mbarte në vetvete nuk u materializuan për qytetarët deri në fund, por ajo është një vepër e mirë, gjithsesi. Një vepër që duhet të shoqërohet me decentralizim të kompetencave dhe me një mbështetje reale për pushtetin vendor, me një distancim nga ana e qeverisë dhe e këtyre kokave të partive nga pushteti vendor për t’i lejuar qytetarët dhe popullin të zgjedhin vetë përfaqësuesit e duhur, të vetëqeverisen dhe të ndihmohen nga pushteti qendror.

Lutfi Dervishi: Të kalojmë tek Zgjidhja. Filloi si lëvizje dhe më pas u kthye në parti politike si një projekt anti-sistem. Është një parti në rendin e 67 partive të tjera që kemi, një kioskë personale politike apo një synim për të bërë diçka krejt ndryshe?

Koço Kokëdhima: Nuk nënvlerësoj asnjë kontribut, të askujt. Çdo kontributor të ri në një treg e kam vlerësuar më shumë se çfarë e meriton dhe e kam komplimentuar për atë përpjekje pozitive që bën. Nga kjo pikëpamje …

Lutfi Dervishi: Ky është mentaliteti i biznesmenit që kërkon suksesin e të tjerëve, por në politikë është pak më ndryshe, në mos gabohem.

Koço Kokëdhima: Nga kjo pikëpamje, edhe në politikë, unë i përshëndes të gjithë ata që kanë guxuar të japin kontributin e tyre, qoftë edhe me iniciativa personale për të formuar parti politike. Në Shqipëri, ka një grup me 4-5 parti të vjetra. Këto përbëjnë edhe moçalin e politikës. Të tjerat nuk i mbaj shënim. Nuk ka parti të tjera.

Lutfi Dervishi: Ju uleni në tavolina me to. Unë kam parë takime me parti jo-parlamentare dhe jeni ulur në tavolinë me to, keni nënshkruar deklarata, i jeni drejtuar faktorit ndërkombëtar …

Koço Kokëdhima: Sigurisht, sigurisht.

Lutfi Dervishi: Nuk janë më parti ato?

Koço Kokëdhima: Jam ulur dhe do ulem, por më lejo të them që, në vlerësimin tim, vetëm tri nga partitë e vjetra janë të rëndësishme në Shqipëri. Është Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Lutfi Dervishi: Po Zgjidhja?

Koço Kokëdhima: Thashë partitë e vjetra. Janë këto tri parti. Është edhe Zgjidhja. Këto tri parti janë partitë e vjetra të Shqipërisë, ndërsa Zgjidhja është rruga e re për Shqipërinë, është alternativa antisistem, është një alternativë që do të përmbysë politikën dhe pushtetin e partive të vjetra.

Lutfi Dervishi: Nëse më lejoni edhe një herë të bëj një ndërhyrje, çfarë është Zgjidhja pa Koço Kokëdhimën?

Koco Kokëdhima: Zgjidhja është një parti, që do të jetojë shumë më gjatë se sa unë. Është një parti që do të punojë dhe bëjë sukses, me dhe pa mua. Zgjidhja është shumë më tepër se sa unë. Nuk është si këto partitë që shkojnë në zgjedhje dhe 60 ditë mbrapa nuk ekzistojnë më. Nuk ka lidhje me to.

Lutfi Dervishi: Ju jeni themelues dhe kryetar i Zgjidhjes.

Koço Kokëdhima: Unë jam një person që kam shpalosur vizionin dhe projektin, por Zgjidhja është pasuri e popullit shqiptar, është pasuri e qytetarëve të Shqipërisë, është pasuri e njerëzve të lirë të këtij vendi, që dëshirojnë të kontribuojnë për një Shqipëri tjetër, që duan një Shqipëri që i do, i pranon dhe i ndihmon njerëzit e saj dhe nuk i flak në të katër anët e botës. Duan një Shqipëri që të qeveriset mirë, një Shqipëri të drejtë dhe njerëzore. Nuk duan një Shqipëri të horrave dhe të mafiozëve. Duan një vend që zhvillohet, që mund të ketë shpresë të marrin punë, që të ketë drejtësi sociale, ku të ketë mirëqenie, ku të ketë ekonomi, jo një vend ku …

Lutfi Dervishi: Ju keni thënë që Zgjidhja kërkon të bëjë katarsisin e shoqërisë dhe të institucioneve të shtetit shqiptar, katarsisin e thellë të lidhjes politike të vendit. Kush dëshiron të vijë te Zgjidhja duhet të pastrojë shpirtin nga vepra dhe ndikime të dënueshme që e kanë ndihmuar klasën politike të shkatërrojë shtetin tonë dhe ta vërë në shërbim të mafies, krimit, korrupsionit dhe marijuanës. Këto i keni thënë ju, por tingëlloni pak si pastor dhe jo si lider politik.

Koço Kokëdhima: Është shumë politike kjo, po të kemi parasysh se Shqipëria është një vend shumë i korruptuar, po të kemi parasysh që në këtë vend kanë rënë institucionet e shtetit. Unë nuk them se e gjithë administrata e shtetit përbëhet nga njerëz të këqinj, nga njerëz të korruptuar. Jo nuk e them këtë gjë. Kam njohur personalisht shumë njerëz të mirë, edhe noterë që janë shumë të pastër dhe shumë të ndershëm, edhe prokurorë që janë të pastër, janë idealistë dhe gjykatës të mirë, edhe punonjës të mirë të administratës.

Lutfi Dervishi: Po të keni njohur një prokuror të mirë dhe një gjykatës të mirë kjo do të thotë që ata s’kanë qenë prokurorë dhe gjykatës të mirë, se normalisht …

Koço Kokëdhima: Unë jam i këtij mendimi që deklarohem. Dhe e mbroj këtë gjë. Nuk dua të përmend emra këtu, por kam njohur njerëz shumë të mirë, por të izoluar në çdo institucion të shtetit edhe pse të gjitha institucionet e shtetit shqiptar janë të kalbura deri në palcë, të kalbura dhe të rrëzuara. Pra kemi një situatë kur institucionet e shtetit janë të korruptuara, partitë janë të kapura nga mafia e partive, qeveria është e kapur nga kjo mafie partish dhe shteti është i kapur dhe i kthyer i gjithi në funksion të pushtetit të 3-4 njerëzve që kanë sot në dorë qeverinë, ekonominë, institucionet, drejtësinë, mediat dhe gjithçka.

Lutfi Dervishi: Zoti Kokëdhima, ju folët për tre partitë e vjetra dhe një parti të re.

Koço Kokëdhima: Për këtë katarsis flas unë dhe flas edhe për një kriter këtu. Zgjidhja kërkon të bashkojë njerëzit që nuk kanë ushtruar përvoja korruptive, që nuk kanë ushtruar pushtet në Shqipëri në këtë periudhë të zezë dhe të errët që kaloi vendi.

Lutfi Dervishi: Pyetja ime ka të bëj me faktin që ju thatë: tre parti të vjetra dhe një parti e re. Të katërta këto parti kanë një emërues të përbashkët, që kanë kryetar. Ju jeni themelues dhe kryetar i Zgjidhjes. Themelues do të jeni gjithë jetën, por sa shikoni veten që do të jeni kryetar, për sa kohë?

Koço Kokëdhima: Unë jam shumë i përgjegjshëm dhe energjik. Do të punoj me pasion të thellë dhe kurrë nuk do t’u iki sfidave, kurrë nuk do t’i iki garës, kurrë nuk do të përdor asnjë pushtet dhe asnjë autoritet për të manipuluar konkurrencën e brendshme në parti për të gjitha postet, përfshi edhe postin e kryetarit të partisë. Besoj se momenti historik që jetojmë është i ngjashëm me vitet ‘90-‘91, pra është një moment shumë i veçantë në jetën e Shqipërisë. Ne nuk vendosëm dot demokracinë në vitet ‘90-’91. Gjithë populli dëshironte demokraci. Gjithë populli e donte Shqipërinë një vend si gjithë Evropa, por në të vërtetë Shqipëria ndërtoi autokracinë dhe sundimin e këtyre 2-3 partive. Nuk ndërtoi dot demokraci dhe zhvillim.

Lutfi Dervishi: Zoti Kokëdhima, po flasim për Zgjidhjen, për aktivitetin tuaj dhe deklarimet tuaja …

Koço Kokëdhima: Jo vetëm për kryetarin e partisë, por kurrë, unë nga pozita ime si drejtues i kësaj force politike, nuk do të ndërhyj në garën e sfidantëve për përfaqësues, për t’u zgjedhur në poste drejtuese qoftë në parti dhe aq më shumë në këshillat bashkiake, kandidatë për kryetar bashkie dhe sidomos kandidatë për deputetë. Këto do t’i vendosë populli dhe anëtarësia e gjerë e bazës së partisë përmes primareve, përmes zgjedhjeve.

Lutfi Dervishi: Për fat të keq partitë politike nuk janë organizata bamirëse ku mirësjellja shkon në kulm dhe punon që kundërshtari të zërë postin. Ju keni thënë që këta, dhe keni pasur parasysh Ramën dhe Berishën, dinë vetëm të marrin borxh dhe të vjedhin, dinë të marrin borxh dhe t’i bëjnë rrush e kumbulla me oligarkët e tyre. Këta të tjerët që ju i quani oligarkë, a kanë emra?

Koço Kokëdhima: Nuk do ta bëj kurrë që unë të marr emrat e bizneseve dhe t’i artikuloj këtu. Një gjë mund të them se, kur unë dhe Zgjidhja të vimë në pushtet, konseguenca do të kenë vetëm ato biznese që kanë nënshkruar koncesione korruptive me qeverinë. Ato biznese që kanë marrë koncesione korruptive me qeverinë, do t’u nënshtrohen tatimeve të jashtëzakonshme.

Lutfi Dervishi: Kush e përcakton që janë koncesione korruptive?

Koço Kokëdhima: Analiza e kontratave të koncesioneve, përfitimet e popullit dhe të Shqipërisë nga këto koncesione dhe sigurisht ligjet që ne do bëjmë për këtë çështje mbi bazën e kësaj të vërtete që ka ndodhur në Shqipëri.

Lutfi Dervishi: Duke lexuar aktivitetin tuaj që nga dhjetori i vitit të kaluar, më bën përshtypje që është një listë shumë e shkurtër me emra dhe sipas kësaj liste nëse nuk do të jetë Edi Rama, Saliu, diku Erion Veliaj, diku një tjetër, ky vend do t’i zgjidhte të gjitha problemet. Kaq e thjeshtë është?

Koço Kokëdhima: Po kaq e thjeshtë është. Këta njerëz janë dinozaurët që kanë marrë peng Shqipërinë dhe popullin shqiptar, kanë marrë peng shtetin, qeverisjen dhe kombin tonë. Kanë marrë peng partitë politike dhe demokracinë e Shqipërisë.

Lutfi Dervishi: Edhe me ndihmën tuaj.

Koço Kokëdhima: Me ndihmën time? Kurrë! Asnjëherë me ndihmën time.

Lutfi Dervishi: Si do të sillesh me pengmarrësit?

Koço Kokëdhima: Si do sillet Zgjidhja me ta? Do shikoni si do sillemi ne me ta. Ajo do të jetë sjellja që ne do të kemi me pengmarrës të këtij rangu.

Lutfi Dervishi: Me pengmarrësit ka dy taktika, ose të ulesh në bisedime ose të përdorësh forcën, nuk është se ka ndonjë rrugë të mesme.

Koço Kokëdhima: Ne do të udhëheqim forcën e popullit. Pa forcën e popullit, me këta lloj pengmarrësish nuk ka bisedime.

Lutfi Dervishi: Populli po ikën nga aeroporti i Rinasit dhe po plotëson Lotarinë Amerikane. Si bëhet Zgjidhja alternativë më e mirë se aeroporti i Rinasit dhe se Lotaria Amerikane?

Koço Kokëdhima: Ajo është simptoma. Ajo është pasoja e qeverisjes së këtij vendi. Ne kemi sot, fatkeqësisht, duhet ta pranojmë, një komb që po dezerton, që po ikën, si ata ushtarët që dezertuan në Angli dhe si ata 250 mijë aplikantët e Lotarisë Amerikane. Janë inxhinierë, mjekë, infermierë, mësues, specialistë, profesionistë dhe kështu me radhë. Janë praktikisht forca e gjallë e kombit tonë, janë kombi ynë. Dhe këta njerëz të gjithë ikin ose duan të ikin.

Lutfi Dervishi: Po pse nuk shkojnë në një seli partie politike, në një alternativë të re, por ikin?

Koço Kokëdhima: Këta njerëz ikin sepse janë pa shpresa, janë të dekurajuar, janë pa punë. Kjo elitë politike u ka vrarë shpresën këtyre njerëzve dhe i ka dëbuar dhe i dëbon shqiptarët nga vendi. Zgjidhja ka alternativë politike dhe ekonomike për shqiptarët.

Lutfi Dervishi: Ju keni një rekomandim si të shmanget elita politike? Me ndryshimet kushtetuese të 2008-ës sistemi është kapur nga elita politike ekzistuese, ose nga kryetarët e partive të vjetra, siç ju i cilësoni, të cilët bëjnë të pamundur futjen në lojë të aktorëve të tjerë, pothuajse. Si do të arrini ju të ndryshoni sistemin, demokratizoni partitë politike, të reformoni zgjedhjet. Kjo duket më tepër si listë dëshirash meqë jemi edhe në prag festash, se sa një mundësi reale për ta bërë një gjë të tillë. Që ta bësh këtë duhet të ndryshosh kushtetutën. Që të ndryshosh kushtetutën duhet të kesh shumicën, 2/3-at në parlament?

Koço Kokëdhima: Pyetja është shumë e thjeshtë: A do të bëhet Shqipëria, apo jo? Kjo është pyetja. Këto janë, pak a shumë, sinonime të njëra-tjetrës. Këta që kanë qeverisur Shqipërinë gjatë këtij tranzicioni gjithmonë kanë artikuluar, se ky vend nuk bëhet, kanë menduar se ky vend nuk bëhet, kanë punuar që ky vend të mos bëhet dhe nuk kanë dashur që ky vend të bëhet. Prandaj e kanë rrënuar këtë vend deri në fund. Zgjidhja beson se ky vend bëhet dhe do punojë me forcë që ky vend të bëhet. Dhe ky vend do të bëhet miku im, sepse është përgjegjësia jonë, është përgjegjësia e të gjithë burrave, grave, djemve dhe vajzave të denjë të këtij vendi që të mendojnë për ta bërë Shqipërinë. Ne u themi qytetarëve “Mos ikni”. Ne i ftojmë ata të mos ikin. Çfarë zgjidhjeje do të bëjmë ne? Projekti ynë është shumë i qartë. Ne do të udhëheqim revolucionin paqësor për të përmbysur këtë elitë politike dhe për t’i hapur rrugë demokracisë në Shqipëri, reformimit të sistemit politik, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, zhvillimit ekonomik dhe krijimit të shanseve që të gjithë talentet e reja të Shqipërisë të mund të shpalosen këtu në vendin tonë.

Lutfi Dervishi: Ju, pak kohë më parë, keni thënë se asnjë parti nuk e mund dot Rilindjen me këtë sistem zgjedhor, edhe sikur të ketë në listën emërore Krishtin dhe Muhamedin, së bashku. Pyetja ime ishte që të ndryshosh këtë sistem me revolucion paqësor do të thotë të kesh popullin pas. Ku i shikoni shenjat që janë gati në atë që ju e quani revolucion paqësor?

Koço Kokëdhima: Ne kemi një komunikim të gjerë me publikun. Projekti ynë bazohet në një analizë shumë serioze të situatës. Nëse ju keni kuptuar ndonjë kundërthënie, ju lutem ma vini në dukje. Analiza që ne i bëjmë situatës, është shkencore dhe shumë preçize. Sot dëshiroj t’i bëj ftesë të gjithë inteligjencës së kualifikuar të Shqipërisë që të ushtrojë përgjegjësinë e saj ndaj popullit dhe vendit, për t’i shpjeguar shqiptarëve faktin që asnjë reformë nuk do të japë rezultate pa reformuar më parë sistemin politik, pa reforma politike.

Lutfi Dervishi: Ju keni kërkuar Kushtetutë të re, Republikë të re, për të bërë çlirimin e madh. Ndërkohë ndërkombëtarët kanë bërë një investim të madh te kjo që ju nuk keni besim, te reforma në Drejtësi, dhe thonë se plani i tyre është: të pastrojmë gjyqësorin, dhe më pas gjyqësori do të pastrojë politikën, ose, siç keni përdorur ju, uthull dhe acid.

Koço Kokëdhima: Nuk ndodh kjo.

Lutfi Dervishi: Pse, duket sikur po ndodh?

Koço Kokëdhima: Ta shpjegoj unë pse nuk ka për të ndodhur kjo. Sepse drejtësia është një sistem i korruptuar dhe i kalbur, kryesisht për shkak të investimit korruptiv të politikës në të. Reforma në Drejtësi do e marrë energjinë që i duhet për t’u shëndoshur nga institucionet e sistemit politik, nga elita politike.

Lutfi Dervishi: Ideja është që të dalin disa institucione të reja nga parlamenti.

Koço Kokëdhima: Institucionet e reja dalin po nga kjo politikë, nga ky parlament i kapur. Po nuk çliruam zgjedhjet dhe parlamentin, po nuk reformuam sistemin politik, asnjë reformë, përfshirë edhe reformën në Drejtësi, nuk do të japë rezultate në Shqipëri.

Lutfi Dervishi: Le të flasim për zgjedhjet. Ju keni investuar besimin tuaj te misioni i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet dhe keni thënë se këta do të udhëheqin procesin dhe mendoni që me anë të teknologjisë do të ketë ndryshime. Pyetja është se çfarë problemi mendoni ju se adreson teknologjia në zgjedhjet shqiptare?

Koço Kokëdhima: Së pari, unë nuk kam investuar thjesht besimin tim, por në radhë të parë kam adresuar përgjegjësinë. Mendoj se OSBE dhe përfaqësitë diplomatike të vendeve partnere në Shqipëri kanë përgjegjësi për situatën e zgjedhjeve dhe për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria për shkak të shkatërrimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. S’ka asnjë vend tjetër në botë, asnjë vend që i thotë vetes demokratik dhe pluralist, ku dy parti, siç është Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, dy parti që janë përgjegjëse për aq shumë krime elektorale, të administrojnë zgjedhjet.

Lutfi Dervishi: Këta i administruan në 2013 dhe ju dolët deputet nga ato zgjedhje.

Koço Kokëdhima: Shiko, mos e bëni këtë diskutim se është shumë banal.

Lutfi Dervishi: Është çështje sistemi.

Koço Kokëdhima: Nuk ka lidhje fare kjo. Unë nuk po them që në vitin 2013 sistemi ishte në rregull sepse u bëra unë deputet.

Lutfi Dervishi: Po nuk e ngritët atëherë këtë problem.

Koço Kokëdhima: Ju duhet të dini dhe të keni shumë mirë të qartë se në vitin 2013 unë kam qenë një biznesmen në jetën time dhe në punën time dhe nuk kam qenë fare politikan.

Lutfi Dervishi: Po flasim për…

Koço Kokëdhima: Të lutem, të lutem. S’kam qenë politikan, Nuk kam asnjë dyshim që në vija të përgjithshme pikëpamjet e mia për sistemin politik të Shqipërisë janë të njëjta që nga viti 2003. Kam kërkuar që atëherë që të reformohet ky sistem politik, sa herë kam pasur kontakte, diskutime, shkëmbime idesh etj.

Lutfi Dervishi: Tani reformimin e këtij sistemi politik do ta bëni me partitë që ju kërkoni t’i shkatërroni dhe asgjësoni, apo do ta bëni me revolucion?

Koço Kokëdhima: Po të jetë për këta që kanë marrë peng Shqipërinë dhe e kanë kthyer në çifligun e tyre, ia kanë dorëzuar djajve dhe kriminelëve, asgjë nuk ndodh. Ne do ta imponojmë zgjidhjen me forcën e popullit shqiptar. Nuk ka rrugë tjetër me këta.

Lutfi Dervishi: Me apo pa ndihmën e ndërkombëtarëve?

Koço Kokëdhima: Me ndihmën e ndërkombëtarëve, të cilët janë të interesuar për një Shqipëri demokratike. Shqipëria nuk do të bëjë kapitalizmin e vet origjinal, nuk mund të ndërtojë dot demokracinë n.q.s. nuk bën zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe në qoftë se institucionet që prodhojnë demokracinë, partitë politike, nuk janë demokratike.

Lutfi Dervishi: A ka një kontradiktë mes asaj që ju kërkoni, reformim të sistemit zgjedhor, udhëheqjen e këtij procesi nga OSBE/ODIHR-it dhe faktit që kërkoni?

Koço Kokëdhima: Pse ne duam ta udhëheqë OSBE/ODIHR-i? Sepse Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, jo vetëm që janë të pabesueshme, por nuk i lëshojnë zgjedhjet, sepse ato do të ikin. Nuk mund të rrinë më këtu në qoftë se lëshojnë zgjedhjet.

Lutfi Dervishi: Procesin e udhëheq OSBE/ODIHR-i, por në fund kush do të votojë në parlament?

Koço Kokëdhima: Kush do të votojë në parlament? Është një çështje formale. Kush do ta imponojë këtë proces reformues, është pyetja normale.

Lutfi Dervishi: Ju besoni se do ta bëj populli këtë gjë?

Koço Kokëdhima: Do ta bëj populli shqiptar këtë gjë, me ndihmën e miqve të tij të vërtetë.

Lutfi Dervishi: Sa ju dekurajon fakti që në zgjedhjet që sapo u mbyllën, dy forca të reja politike, “Sfida për Shqipërinë” dhe LIBRA, nuk arritën të marrin përfaqësi në Kuvend, dhe nëse nuk ndryshon sistemi zgjedhor që do të kërkonte ndryshime kushtetute, do të hynte Zgjidhja në zgjedhje?

Koço Kokëdhima: Së pari, nuk kam pasur asnjë dyshim që LIBRA dhe “Sfida për Shqipërinë” nuk do të merrnin asnjë vend në parlament. Populli nuk mbështet asnjë parti që ka si synim të bëjë një ose dy deputetë. Kjo ishte për mua arsyeja pse LIBRA dhe Sfida nuk morën asnjë deputet në zgjedhjet që shkuan. Zgjidhja nuk është projekt për të bërë një grup parlamentar, nuk është projekt për të më bërë mua deputet, as për të bërë dy apo tre …

Lutfi Dervishi: Është për të marrë pushtetin?

Koço Kokëdhima: Është projekt për të bërë rrugën e re, alternativën e re politike të Shqipërisë, është projekt për të marrë pushtetin, për t’i përmbysur këta që kanë drejtuar deri sot, dhe jo për t’i plotësuar, për t’i zëvendësuar këta qeveritarë me djemtë dhe vajzat më të mirë të këtij populli që nuk mungojnë në Shqipëri, pavarësisht atyre të shumtëve që kanë ikur.

Lutfi Dervishi: Janë disa lëvizje në rajon në këtë periudhë: Lëvizja “5 yjet” në Itali, “Syriza” në Greqi, “Podemos” në Spanjë, Makron po të doni në Francë. Keni ndonjë model që ju inspiron apo modeli juaj është krejt unik për ta realizuar një përmbysje paqësore të sistemit?

Koço Kokëdhima: Ne marrim shpresa sa herë që shikojmë modele të mira reagimi në demokracitë e zhvilluara, por ne bazohemi kryesisht në të vërtetat dhe në situatën e popullit tonë dhe në nevojat e domosdoshme për ndryshime të mëdha në Shqipëri.

Lutfi Dervishi: Le të fokusohemi pak te plani juaj ekonomik. Në të vërtetë ndoshta nuk është çështja kryesore, por për faktin që ju keni qenë protagonist i hapjes së debatit për legalizimin e drogave të lehta në Shqipëri. Cili vend ka dalë në dritë duke u marrë me kanabisin?

Koço Kokëdhima: Të gjitha vendet që e kanë zhvilluar ekonominë e kanabisit kanë bërë rezultate shumë të mëdha. Mund t’ju them vetëm një ..

Lutfi Dervishi: Ekonomike apo sociale?

Koço Kokëdhima: Nga të gjitha pikëpamjet, ekonomike, sociale, në fushën e të drejtave njerëzore dhe kështu me radhë. Mund të them vetëm një fakt që, ekonomia botërore e kanabisit legal rritet me 60% në vit. Kjo është ekonomia që rritet më shpejt nga gjithë të tjerat, ndoshta.

Lutfi Dervishi: Çfarë vendi parashikoni që të zërë kanabisi në ekonominë shqiptare?

Koço Kokëdhima: Ne kemi analizuar në radhë të parë këtë fenomen nga pikëpamja sociale, nga pikëpamja e të drejtave dhe lirive njerëzore. Kur ne kemi predikuar kanabisin farmaceutik kemi parasysh nevojat reale të qytetarëve të Shqipërisë, të cilët duhet të trajtohen me medikamente të kanabisit si të gjithë qytetarët e tjerë të botës. Nga ana tjetër ne kemi parasysh që Shqipëria duhet të përfitojë. Asnjë dollar nuk është pak për Shqipërinë. Ne duhet ta shfrytëzojmë çdo mundësi përfitimi. Ja ku e kemi Greqinë. Kur e pyetën ministrin e Zhvillimit Rural dhe të Ushqimit gazetarët e “Bloomberg”-ut, se pse e legalizoi kanabisin farmaceutik Greqia, ky ministër dha një përgjigje shumë logjike dhe shumë demaskuese për qeverinë e Shqipërisë kur tha: Greqia ka të drejtën e vet të marrë pjesën e saj në tortën e kanabistit farmaceutik në botë. Kjo tortë është 200 miliardë euro në 10 vitet e ardhshme dhe ne do marrim pjesën tonë- tha ai për këtë gjë. Kush thotë që Shqipëria s’duhet ta marrë të vetën? Urdhëro ku e kemi Maqedoninë. Pse Maqedonia duhet të marrë pjesë nga kjo tortë, por Shqipëria jo? Për çfarë arsye. Përse marijuana duhet të konsiderohet domain i mafies, pse? I mafies qeveritare, apo jo? Kush është kjo? Edi Rama dhe Sajmir Tahiri. Këta e bënë marijuanën në Shqipëri. Nuk e bënë drogën për popullin shqiptar, por…

Lutfi Dervishi: Tahiri nuk është më.

Koço Kokëdhima: Të lutem, diskutojmë për katër vite nuk diskutojmë këtu për një ditë. Ju e dini mirë këtë histori …

Lutfi Dervishi: Çfarë prisni nga kanabisi në Shqipëri, për peshën që mund të zërë?

Koço Kokëdhima: Unë pres që Shqipëria të jetë vend normal, të ketë legalizuar kanabisin, të ketë licenca, fshatarët të mos paguajnë, apo ato kompani që do të licencohen të mos paguajnë policë as me një të tretën e prodhimit, as me pagesa të tjera ilegale në cash. Por të kenë mbrojtjen e shtetit, mbrojtjen e policisë dhe qeveria të jetë blerësja e produktit të tyre. Tregu është ai që është dhe le të jetë ai që do jetë …

Lutfi Dervishi: Ju po thoni për konsum të brendshëm, apo për jashtë?

Koço Kokëdhima: E shikoj për konsum të brendshëm dhe për jashtë, për eksport.

Lutfi Dervishi: Po ku do të eksportohet?

Koço Kokëdhima: Medikamentet e kanabisit eksportohen në të gjithë dynjanë dhe Shqipëria ka kushte shumë të favorshme për ta zhvilluar këtë ekonomi edhe pse këto avantazhe që ka Shqipëria këta pushtetarë ia u dhanë të tjerëve dhe nuk ia dhanë Shqipërisë.

Lutfi Dervishi: Sa fajtor e ndjeni veten, ndoshta të përdorur nga fakti që ju dolët si njeriu i identifikuar për të promovuar kanabisin në Shqipëri dhe pastaj ndodhi ajo që ndodhi 2-3 vite më pas?

Koço Kokëdhima: Unë jam shumë i nderuar për këtë qëndrim që kam mbajtur. Populli ka qenë në shumicë dërrmuese anën time, edhe pse nuk janë bërë publike shumë pjesë të debatit tonë, kryesisht për bujqësinë dhe për sjelljen e papërgjegjshme të kësaj qeverie me bujqit dhe blegtorët dhe me këtë degë të ekonomisë sonë kombëtare, e cila është totalisht e braktisur. Është aq e braktisur sa që sigurisht fshatarët ku ta gjenin që të bëheshin skllevërit e atyre mafiozëve të kanabisit për të marrë 30, 90 apo 150 ditë pune me nga 20 mijë lekë, në vitin 2016, apo në vitin 2015.

Lutfi Dervishi: Një nga shtyllat e programit tuaj është bujqësia dhe ushqimi dhe ju thoni që duhet të prodhojë Kosova dhe Shqipëria për të ushqyer veten dhe për të eksportuar. Shqipëria ka 50% të popullsisë në fshat. Që të bëhet kjo që ju thoni duhet që atje të jetojnë 5% e popullsisë, duhen dekada dhe një plan shumë i mirë për këtë zhvendosje apo jo?

Koço Kokëdhima: Për të bërë cilën zhvendosje?

Lutfi Dervishi: 50% e popullsisë në fshat, do të thotë që popullsia kurrë nuk do të jetë me rendiment për të prodhuar për veten dhe për të eksportuar…

Koço Kokëdhima: Ah, e keni fjalën për ushqimin? Ai publikim që kam bërë unë lidhet me planin e Ramës për “Jugosllavinë e re”. Shqipëria do të humbasë shumë nga një bashkim ekonomik me vendet sllave të rajonit, sepse është e papërgatitur për këtë gjë. Vendet sllave të rajonit kanë shkuar përpara në shumë drejtime. Së pari ato janë atraktive për investimet e huaja, ndërkohë që Shqipëria nuk merr dot një dollar. Së dyti, ato e mbështesin shumë bujqësinë. Bujqësia jonë nuk konkurron dot. Ata jo vetëm që kanë rregulluar tregun e tokës, por kanë një politikë shumë të avancuar për investimet dhe subvencionet në bujqësi. Produktet tona bujqësore realizohen në ngastra shumë të vogla. Fermerët tanë kanë më pak se një hektar, të ndarë në tre ose 4 ngastra. Shumica dërmuese e tokës bujqësore dhe jobujqësore, është pa certifikata pronësie, është jashtë qarkullimit ekonomik, dhe produktet e tyre janë me çmime nën ose në kosto. Qumështi është nën kosto. Çmimi për një kile peshë e gjallë, mish keci, është tre mijë lekë të vjetra. Bujqësitë e vendeve të rajonit janë të subvencionuara, kanë edhe prodhim të madh dhe politika favorizuese. Atëherë si do të konkurojë kjo bujqësia jonë? Nuk konkurron dot. Kështu i bie që ne të mos bëjmë bujqësi kurrë. Çfarë duhet të bëjmë ne më parë? Ne duhet të bëjmë tregun e tokës bujqësore siç duhet të rregullojmë tregun e të gjithë ndërtimeve që ka në Shqipëri. Të gjitha pasuritë e patundshme që ka Shqipëria, duhet të jenë në qarkullim ekonomik. Subvencionet duhet të jenë të krahasueshme me ato të vendeve fqinje. Maqedonia jep 150 euro për hektar, po ne çfarë japim për bujqësinë? Ne japim 1 euro për hektar!

Lutfi Dervishi: Ju flisni për rritje ekonomike 15 dhe 20 % në platformën tuaj. Kur ka ndodhur kjo? Cilin vend keni parasysh që ka ndodhur kështu, që është rritur në kohën e sotme, të paktën?

Koço Kokëdhima: Rritje me 15% dhe 20% nuk mund të mendohen për ekonomitë e mëdha dhe për ekonomitë e zhvilluara, por jo për ekonomitë inekzistente si kjo e Shqipërisë. Unë e kam deklaruar këtë kur kam bërë fjalë që, Zgjidhja në pushtet do të ketë ambicien për rritje ekonomike reale, jo si këto gënjeshtrat e Ramës dhe Saliut, por rritje ekonomike reale me dy shifra. Pse jo 15% , me tendencë 20%-in? Shqipëria ka një ekonomi qesharake, nuk shfrytëzon resurset, nuk shfrytëzon mundësitë e kështu me radhë. Dua të them edhe diçka …

Lutfi Dervishi: Zoti Kokëdhima, vende që janë zhvilluar në të gjithë globin, të paktën që me revolucionin industrial anglez, 1970-ta, janë vende që kanë pasur drejtësi dhe janë vende që janë mbështetur në inovacion, ndërsa ju jeni skeptik në reformën në drejtësi edhe kur flisni thoni nuk do të bëhet. Nuk janë zhvilluar thjesht me bujqësi, blegtori, kanabis, pasuri natyrore, janë zhvilluar duke …

Koço Kokëdhima: Turizëm, prodhim, produktivitet të lartë, eksport etj. Ne e kemi vënë theksin te të gjitha resurset tona, por ato që ne kërkojmë në radhë të parë, janë reforma që synojnë të vendosin liritë politike dhe ekonomike në vend. Të vendoset liria e konkurencës, të ulet barra fiskale, të bëhet atraktiv vendi për investimet e huaja, të thithen kapitalet private, të miradministrohen kapitalet edhe të ardhurat e buxhetit të shtetit, të mos shpërdorohen këto, të mos vidhen, plaçkiten e kështu me radhë. Sot që diskutojmë bashkë, shqiptarët nuk kanë asnjë interes të mendojnë për shtetin e tyre. Çfarë u jep ky shtet sot? U jep siguri? Nuk u jep. U jep shëndetësi? Nuk u jep. U jep punë? Nuk u jep. U jep ndjesinë se janë bashkëpronarë te buxheti i shtetit? Nuk ua jep as këtë, sepse buxhetin e shtetit e vjedhin këta horrat e qeverisë. U jep ndjesinë që janë bashkaksionerë në pasuritë natyrore dhe në resurset e vendit? Jo, sepse janë të përjashtuar nga përfitimet e këtyre resurseve që vidhen, grabiten dhe shfrytëzohen barbarisht nga klientët e kryetarëve të partive dhe shpurat e tyre. U jep çfarë? Nuk janë të përfshirë në vendimarrje, nuk pyeten për asgjë, nuk janë të përfshirë në qeverisje. Nuk kanë të drejta të zgjedhin përfaqësuesit dhe as të zgjidhen. Atëherë çfarë arsye kanë shqiptarët që të mendojnë dhe sakrifikojnë për shtetin e tyre? Nuk kanë asnjë arsye dhe prandaj ikin të gjithë.

Lutfi Dervishi: Po pse nuk i përgjigjen thirrjes tuaj?

Koço Kokëdhima: Thirrjes tonë do t’i përgjigjen vazhdimisht. Ne jemi në koherencë të plotë me interesin e popullit shqiptar. Ju e patë …

Lutfi Dervishi: Ju i keni bërë thirrje popullit shqiptar, për të bojkotuar zgjedhjet, keni shpërndarë një milionë e 350 mijë mesazhe elektronike, 300 mijë postera. video promocionale …

Koço Kokëdhima: Kishim të drejtë në qëndrimin tonë…

Lutfi Dervishi: Por nuk iu përgjigjën …

Koço Kokëdhima: Rreth 36% e shqiptarëve kanë shkuar në votime. Zgjidhja ishte vetëm 1 muaj parti. Në qoftë se nuk reformohet sistemi politik, gjysma e këtyre shqiptarëve nuk do shkojnë në zgjedhjet e ardhshme …

Lutfi Dervishi: Ju nuk gaboni lehtë me shifrat, por në këtë 36% ju llogarisni listën e votuesve dhe jo zgjedhësit që jetojnë në Shqipëri.

Koço Kokëdhima: Në këto 36% bëjnë pjesë edhe këta që blen Rama me paratë e drogës dhe të korrupsionit, edhe administrata e shtetit që Rama e merr me dhunë në rresht, të gjithë të punësuarit e shtetit që pushohen nga puna po nuk i dhanë 20 vota qeverisë. Kështu e vazhdon Rama në mënyrë primitive luftën e klasave.

Lutfi Dervishi: Në Shqipëri banojnë 2.8 milionë njerëz, ndërkohë që lista e votuesve është 3.5 milionë…

Koço Kokëdhima: Shiko të mos merremi me listën është një gjë që ..

Lutfi Dervishi: Do të kthehemi te një çështje shumë e rëndësishme që kemi në momentet e fundit. Ju keni folur së fundmi për një unifikim …

Koço Kokëdhima: Unë dua të shtoj vetëm një gjë, që ne do t’u japim shqiptarëve një arsye, minimalisht një arsye të shëndoshë, pse ata duhet të mendojnë, të sakrifikojnë, të punojnë për shtetin e tyre, të investohen që shteti i tyre të demokratizohet e modernizohet, të luftojnë që të vendoset kjo republika e re që kërkojmë ne.

Lutfi Dervishi: Keni 60 sekonda për 3 pyetjet e fundit.

Koço Kokëdhima: Po 60 sekonda nuk e bëjmë dot dhe me vrap ta marrim.

Lutfi Dervishi: Lajmi më i madh i shekullit të kaluar është dhënë me tre fjalë: “Njeriu zbriti në hënë.”

Koço Kokëdhima: Urdhëroni.

Lutfi Dervishi: Ju keni ftuar partitë parlamentare të braktisin parlamentin. Shpresoni që do ta braktisin parlamentin partitë parlamentare?

Koço Kokëdhima: Ne u themi një gjë shumë logjike. Ky është parlament i votës së blerë nga paratë e drogës. Ky është parlament i dalë nga zgjedhje të manipuluara, të shtrënguara, të palira, të deformuara. Ky është parlamenti që ka dalë nga zgjedhje që, nga 90 kuti që u hapën, 60 kuti, ose 90% e të gjithave rezultuan të manipuluara. Çfarë rëndësie ka se masa e manipulimit ishte 5-7 vota për çdo kuti? Atëherë çfarë bëjnë këto dy partitë opozitare në parlament? Ato duhet të kushtëzojnë agjendën parlamentare vetëm me reformën zgjedhore Partia Demokratike nuk ndahet dot nga e shkuara e saj kriminale dhe e dënueshme. Ajo duhet të kërkojë ndjesë publike për krimet që ka kryer ndaj zgjedhjeve shqiptare, të deklarohet qartë që heq dorë përfundimisht, nga kontrolli dhe administrimi i zgjedhjeve.

Lutfi Dervishi: Ju jeni dalluar që bëni parashikime të sakta, deri në detaje për shumë gjëra, por gabuat për parashikimin që PS-ja dhe PD-ja do të bashkëqeverisin, e keni përsëritur disa herë.

Koço Kokëdhima: Nuk gabova unë, jo nuk gabova. Ishte një plan i saktë, po ta them që nuk kam gabuar. Partitë janë plotësisht në marrëveshje me njëra-tjetrën. Ujdia e 18 majit ishte për bashkëqeverisje. Nuk u doli filmi sepse këta të Rilindjes shkuan aq larg dhe morën aq shumë deputetë sa që nuk e justifikonin dot më këtë koalicion. Zgjidhja do e rikthejë interesin e qytetarëve tanë, për të menduar dhe punuar me vendosmëri për të ardhmen e këtij shteti. Do t’i bëjë ata të ndihen aksionerë në buxhetin e shtetit, të kenë të drejta, të kenë përfitime të ndjeshme e të qarta, të kenë pjesë në Shqipërinë e tyre, të jenë të përfshirë në vendimarrje e bashkëqeverisje, të kenë interes për të pasur e zhvilluar pronat etj. Akti i parë që do të bëjmë për këtë është edhe thelbi i programit demokratizues të Zgjidhjes: Do ja u marrim sovranitetin politik të Shqipërisë kryetarëve të partive dhe do t’ua japim njerëzve të thjeshtë të këtij vendi, mjekëve, infermierëve, studentëve, nxënësve, mësuesve, ushtarakëve, qytetarëve, punëtorëve, të papunëve, pensionistëve, fshatarëve etj. Ne do ta bëjmë me guxim këtë gjë. Dua që të shfrytëzoj rastin, t’i uroj shqiptarëve gëzuar Krishtlindjet, gëzuar Vitin e Ri, të mos e humbin shpresën, të mos e humbin entusiazmin dhe besimin te e ardhmja jonë e përbashkët. Dua të uroj veçanërisht të gjithë mbështetësit, simpatizantët dhe anëtarët e Zgjidhjes, që të luftojnë me besim të patundur në objektivat tona strategjike për ta çuar popullin shqiptar drejt një dite të bekuar, kur të fitojë dhe të gëzojë të drejtat e tij të mohuara.

Gëzuar! Faleminderi!

(Visited 68 times, 15 visits today)
Sicred