KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Kinemaja e rajonit vuan nga buxhetet e ulta

Kinemaja e rajonit vuan nga buxhetet e ulta

Denis Cote, është një kineast indipendent që jeton në Kanada i njohur për filmat e tij eksperimentale sidomos në gjininë e dokumentarit. Teksa në Tiranë ka ardhur si anëtar jurie i Tirana International Film Festival, ai po ashtu ka bërë një projeksion të veçantë të filmit të tij më të fundit “A skin so soft”. Një zgjedhje kurajoze dhe krejt larg klisheve të zakonshme, për të mësuar më shumë për jetët e njerëzve që gjithçka ia dedikojnë dhe fokusojnë muskujve të tyre e pikërisht body builders.
“Së pari doja të vija këtu për vendin pasi për një kanadez dhe për shumë njerëz, Shqipëria mbetet një vend i mistershëm. Dhe tani po prezantoj filmin tim i cili bart me vete rëndësinë që po prezantoj filmin tim të parë nëë Shqipëri. Filmi i dedikohet 6 body buildersve të cilët i ndjek në intimitetin e tyre, nuk ka një mesazh ky film. Thjesht këta njerëz janë të mistershëm dhe formojnë një mikroshoqeri që ne nuk e njohim mirë dhe për mua ishte një aventurë joshëse të kuptoja pse ata e bëjnë këtë gjë dhe nuk është detyra ime ti gjykoj” tha Cote për RTSH.
“A skin so soft”, është një film ku nuk kuptohet qartë ndarja mes realitetit dhe fiksionit, autori na shtyn në gjetje estetike që duhen eksperimentuar më shumë në gjininë e dokumentarit. “Më pëlqen përplasja mes fiksionit dhe dokumentarit dhe më pëlqen po ashtu ta befasoj audiencën. Mendoj se çdo regjisor është shef i filmit të vet dhe mua më pëlqen ta suprizoj publikun tim. Filmat e mi nuk janë për të informuar, por me pëlqen të luaj me format estetike krejt larg nga dokumentari televiziv” thotë më tej kineasti Cote për RTSH.
Ndërkohë Cote këto dite ka mundur të shohë shumë filma shqiptare dhe të rajonit dhe të krijojë një përshtypje mbi kinemanë e re të Ballkanit. Sipas regjisori kanadez “Njerëzit preferojnë ti vendosin filmat në kutiza, por besoj se kinemaja e rajonit vuan nga buxhetet e ulëta dhe nuk ka vend për gjetje të medha artistike. Por shpresoj se ministritë e kulturës do të ndihmojnë filmin pak më tepër. Por në fund si anëtar jurie unë do të vlerësoj një film i cili është krejtësisht origjinal, i guximshëm dhe nuk jam këtu për të parë thjesht një film të mirë emocional kërkoj më tepër” tha kineasti kanadez.
Cote me filmat tij eksperimentalë ka marrë pjesë në festivalet më të rëndësishme në botë. Ai zotëron dy Leopardë, një të artë dhe një të argjend nga Locarno Film Festival për filmat “Drifting States” dhe “All that she wants”. (Përgatiti Mira Tuci)

Sicred
WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com