KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Kina, 40 vite ekonomi tregu
Kina, 40 vite ekonomi tregu

Kina, 40 vite ekonomi tregu

Ngjarja më e rëndësishme politike e Kinës, Kongresi Popullor Kombëtar, këtë vit përkoi me 40-vjetorin e nisjes së reformës dhe të hapjes së Kinës. Raporti 5 vjeçar i kryeministrit Li Keqiang vetëm konfirmon se ekonomia e dytë më e madhe në botë vazhdon të rritet. Në 5 vitet e fundit PBB i Kinës është rritur me më shumë se 50 përqind, duke shkuar nga 8.6 trilion dollarë në mbi 13 trilion dollarë. Rritja ekonomike vjetore për 2017-ën llogaritet 7.1 përqind, ndërsa për vitin e ardhshëm ajo parashikohet të jetë 6.5 përqind. Ndërsa kontributi i Kinës në ekonominë botërore është rritur në 5 vitet e fundit nga 11.4 përqind në 15 përqind, duke qenë prej 8 vitesh ekonomia e dytë më e madhe në botë, pas asaj të SHBA-së me 24.5 përqind.
1978-ta është viti që shënoi dhe fillimin e reformave ekonomike në Kinë dhe prej 40 vitesh Kina është ekonomia me rritjen më të shpejtë në botë, eksportuesi më i madh në glob dhe importuesi i dytë.

Infrastruktura

Shanghai është qendra ekonomike e Kinës. Një qytet me mbi 24 milion banorë, i etiketuar edhe si New York-u i Lindjes. Por ndryshe nga qytete të tjerë të ngjashëm (në botë), ai është ndërtuar shumë shpejt. Mjafton të përmendet që Kulla “Perla e Orientit”, 468 metra e lartë nisi të ndërtohej në 1991 dhe përfundoi në 1994. Ajo ishte ndërtimi i parë i këtij lloji që u pasua nga shumë të tjera. Nga Pekini në Shanghai, një distancë prej rreth 1300 km, mund të shkosh për 4.5 orë me tren të shpejtë. Në Shanghai janë 2 aeroporte, një port i madh dhe një sistem i përparuar rrugor.
Por ai nuk është i vetmi qyetet me infrastukturë të zhvilluar. Rritja e konsumit të brendshëm dhe investimet në infrastrukturë duket se ecin në mënyrë paralele. Vetëm në 5 vitet e fundit 80 milion njerëz u zhvendosën nga zonat rurale në ato urbane dhe 26 milion njësi banimi në këto zona u rindërtuan. Ndër synimet kryesore te qeverisë në 5 vitet e ardhshme është hapja e mbi 11 milion vendeve të reja pune në zonat urbane.
Edhe investimet në infrastrukturë do të vazhdojnë. Qeveria parashikon të investojë rreth 117 miliardë dollarë për ndërtim hekurudhash dhe rreth 284 miliard dollarë për ndërtim autostradash dhe infrastrukturë lundrimi. Shifrat në këto përmasa duken të pakuptimta, por vetëm për ndërtim autostradash dhe infrastrukture lundimi Kina investon aq sa do të ishte për 60 vjet buxheti total i Shqipërisë.
Rritja ekonomike ka sjellë edhe krijimin e një shtrese solide të mesme që vlerësohet të jetë mbi 300 milionë njerëz. Nëse në vitet ’80-’90 rritja ekonomike e Kinës bazohej në eksporte dhe në krahun e lirë të punës, tashmë ka një zhvendosje dhe rritja ekonoike bazohet gjithnjë e më shumë te konsumi dhe ekonmia e dijes.

Inovacioni

Në Kinë pakkush mban para me vete. Sistemi i pagesave përmes telefonit përdoret kudo. Markat kineze të pajisjeve teknologjike njhen tashmë në të gjithë botën. Kina po rikthehet në identitet. Për shekuj me rradhë Kina ka patur rol parajojë në shkencë dhe teknologji deri në periudhën e dinastisë Ming (1644). Investimet për kërkim dhe zhvillim (research and development) janë rritur çdo vit me 11 përqind dhe nga ana tjetër kontributi i zhvillimit teknologjik tek rritja ekonomike është rritur nga 52..2 përqind në 57. 5 përqind në 5 vitet e fundit. Qeveria e Kinës ka një politikë të qartë për ta bërë Kinën një shtet inovatorësh. Më shumë stimuj për të tërhequr studentët kinezë të shkolluar jashtë, që të kthehen në Kinë, por edhe për të huajt e talentuar.

“Një brez, një rrugë”

Më shumë se 2000 vjet më parë u ndërtua Rruga e Mëndafshit, që lidhi Kinën me Azinë Qëndrore dhe botën Arabe. Në këtë kohë mëndafshi ishte malli kryesor i eksportit për Kinën. Për shekuj me rradhë kjo rrugë u bë gjeneratori i vetëm i zhvillimit për gjithë rajonet ku ajo kalonte.
Në vitin 2013, Presidenti aktual i Kinës Xi Jinping, propozoi rigjallërimin e kësaj rruge të lashtë, por tashmë në një kontekst modern. Jo thjesht rrugë, por edhe hekurudhë, gazësjellës, fibra optike, pika shërbimi. “Një brez, një rrugë” është platforma më e madhe e bashkëpunimit ekonomik në botë. Rruga e re e mëndafshit parasheh 3 segmente të rëndësishme që lidhin Kinën me Europën (përmes Azisë Qendrore), Gjirin Persik dhe Mesdheun (përmes Azisë Perëndimore). Vlera e përgjithshme e këtij projekti është 21 trilion dollarë dhe më shumë se 60 vende kanë shprehur intersin për tu bërë pjesë e këtij projekti.
Shqipëria është pjesë e projektit “një brez një rrugë”, përmes platformës 16+1 (16 vende të Europës Qendrore dhe Lindore plus Kina).

Kina dhe Shqipëria

Me blerjen nga kompanitë kineze të aeroportit “Nënë Tereza” dhe “Bankers Petolium”, Kina u bë investitori më i madh në Shqipëri. Në programin e qeverisë thuhet se Shqipëria “do të vijojë në rrugën e dinamizimit të marrëdhënieve të shkëlqyera politike dhe ekonomike me Kinën”.
Shqipëria ka marrëdhënie diplomatike me Kinën që prej 69 vjetësh. Si pikë kulmore në marrëdhëniet mes dy vendeve është viti 1971, kur nisma e Shqipërisë në OKB bëri të mundur që Kina të zinte vendin e Republikës së Kinës (Taivanit) në Këshillin e Sigurimit.
Në vitin 1978, kur Kina nisi hapjen ndaj Perëndimit dhe reformat ekonomike, Tirana zyrtare prishi marrëdhëniet me Pekinin. Gjatë 27 viteve të tranzicionit, marrëdhëniet kanë marrë një dimension tjetër bazuar në miqësinë e dikurshme dhe në realiteitn e ri global.
Edhe gjatë vizitës së një grupi gazetarësh nga Shqipëria në Radion e Jashtme të Kinës, zëvendës drejtori i përgjithshëm i këtij insititcioni u ndal tek njohja e hershme mes dy vendeve. “Brezi i prindërve të mi e mban mend Shqipërinë nga filmat që transmetoheshin në Kinë dhe nga shkëmbimet e viteve ’60-’70. Por tani ka një zbehje të njohurive për Shqipërinë tek brezi i ri, ndaj duhet të kthejmë dijen- u shpreh zëvendës drejtori i CRI-së.
Radio e Jashtme e Kinës transmeton në 65 gjuhë të ndryshme, mes tyre edhe në shqip.

***

Mijëra delegatë nga gjithë Kina u mblodhën më 5 mars në Pekin në nisjen e takimin vjetor të Kongresit Popullor Kombëtar (ekuivalenti i Parlamentit). Diskutimet bëhen për politikat e zhvillimit dhe përmirësimin e qeverisjes. Sidoqoftë lajmet më të shumta i prodhoi propozimi i Partisë Komuniste të Kinës për të ndryshuar në Kushtetutë nenin që kufizionte në dy mandate zgjedhjen e Presidentit dhe zëvendës Presidentit, i cili u miratua, duke i hapur rrugë drejtimit të Presidentit Jinping edhe pas vitit 2022. Ky ishte ndryshimi i parë në 14 vite që iu bë Kushtetutës së Kinës.
Dikur Napoleoni thoshte se “Kur të zgjohet Kina, do të tronditet bota”.
Formula kineze, ekonomi tregu minus pluralizëm politik, është diskutuar shumë në Perëndim sidomos pas rënies së murit të Berlini dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Por gjatë këtyre 40 viteve Kina është transformuar në një mënyrë të paimagjinueshme dhe është kthyer në një fuqi globale. Shqiptarët që kanë studiuar në Kinë para vitit 1978 dhe janë kthyer sërish atje, janë ata që mund të dëshmojnë për këtë ndryshim. “Para disa muajsh isha në Kinë dhe pashë ndryshime që edhe para dy vitesh nuk ishin të pranishme. Qytetërimi kinez i ngjan murit të madh kinez, që vijon dhe rritet në çdo kohë.”- thotë Idriz Çelmeta, i cili ka jetuar në Kinë në vitet ’70 si student, në vitet ’80 si diplomat dhe pas viteve 90 si biznesmen. (Intervista e plotë me  zotin Çelmeta – https://www.rtsh.al/lajme/celmeta-zhvillimi-kines-i-ngjan-murit-kinez)

Siç thotë një proverb kinez: “Çdo gjë është e vështirë para se të jetë e lehtë”.

Përgatiti Albana Agolli

Para Mbrapa
Para Mbrapa

 

 

Sicred