KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Kim Jong Un mbërrin në Singapor
Kim Jong Un mbërrin në Singapor

Kim Jong Un mbërrin në Singapor

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un ka mbërritur në Singapor për samitin e parashikuar me presidentin amerikan, Donald Trump. Takimi historik mes dy udhëheqësve do të zhvillohet në ishullin turistik të Sentosës, gjatë së martës. Kjo do të jetë hera e parë që kreu i Koresë komuniste do të takohet me një president amerikan në detyrë. Përpara nisjes, Trump e përshkroi samitin si një “mundësi e artë e vetme” për paqen, teksa tha se të dy ata do të jenë “në një territor të panjohur” në kuptimin e plotë të fjalës. Presidenti amerikan pritet të mbërrijë më vonë gjatë dites. Uashingtoni shpreson që samiti të jetë pikënisja e një procesi që do të detyrojë Kim Jong-unin të heqë dorë nga armët bërthamore. Dy udhëheqësit kanë pasur një marrëdhënie të jashtëzakonshme me ulje-ngritjet e veta gjatë 18 muajve të fundit, duke këmbyer ofendime e duke kërcënuar për luftë, përpara se të ndryshonin gjithçka në mënyrë drastike, për të ndjekur kursin drejt një takimi kokë më kokë. Dy udhëheqësit do të takohen me kryeministrin e Singaporit, përpara samitit mes tyre. Viti i parë i Trumpit në detyrë është shënuar nga deklarata të ashpra kundrejt Kim Jong-unit dhe Koresë së Veriut, me këtë të fundit që zhvilloi disa teste raketash balistike në sfidim të hapur me paralajmërimet ndërkombëtare. Por, në fillim të këtij viti, Koreja e Veriut nisi përpjekjet për të sheshuar kontradiktat me Korenë e Jugut gjatë Lojërave Olimpike Dimërore. Në mars, Trump surprizoi botën kur pranoi ftesën e Kimit, dhënë përmes Seulit, për t’u takuar personalisht me të. Që prej atëherë, udhërrëfyesi drejt samitit ka pasur pengesa dhe paqartësi, teksa Trump fillimisht e anuloi takimin e më pas pranuan sërish të uleshin me njëri-tjetrin. Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Koreja e Veriut që të heqë dorë nga armët bërthamore në mënyrë të pakthyeshme, me certifikimin e ndërkombëtarëve. Presidenti Trump e ka përshkruar samitin si një proces njohjeje të situatës, ndaj do të duhet më shumë kohë. Ndërkohë, Kim Jong-un është shprehur se tashmë dëshiron të fokusohet te forcimi i ekonomisë koreano-veriore, e përmes kësaj kërkon edhe lehtësimin e sanksioneve ndërkombëtare.

Sicred