KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Kim Jong un ka vizituar Kinën

Kim Jong un ka vizituar Kinën

Pas ditësh spekulime, është konfirmuar se udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un ka vizituar Kinën. Vizita, e konfirmuar nga Kina dhe nga Koreja e Veriut, është e para e ditur e Kim Jong-unit jashtë vendit, që kur ai ka marrë detyrën në vitin 2011. Kim Jong-un zhvilloi bisedime të suksesshme me liderin kinez, Shi Xhinping në Pekin. Kina është aleatja kryesore ekonomike e Koresë së Veriut dhe mendohej gjerësisht se Kim Jong-un do të konsultohej me Pekinin para takimeve të planifikuara me Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kim Jong-un pritet të takohet me Presidentin koreano-jugor, Mun Xhae-in në prill dhe Presidentin amerikan Donald Trump në maj. Vizita në Pekin ndërkohë konsiderohet si një hap domethënës në përgatitjet e Koresë së Veriut për bisedimet e propozuara. Gjatë vizitës, Kim Jong-un ka siguruar homologun e tij kinez se është i angazhuar të heqë dorë nga armët bërthamore,por me kushte. Kim Jong-un mbërriti në Pekin i shoqëruar nga bashkëshortja e tij të dielën dhe u largua që andej të martën pasdite. Udhëtimi është i fundit në një varg aktivitetesh diplomatike të javëve të fundit, pasi lidhjet mes Veriut dhe Jugut nisën të përmirësoheshin në fillim të vitit dhe gjatë Lojrave Olimpike Dimërore në Korenë e Jugut. Ndërkohë, Uashingtoni ka konfirmuar se Kina e ka informuar administratën Trump për vizitën, të martën.

Sicred