KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Kim Jong-un hyn në Korenë e Jugut
Kim Jong-un hyn në Korenë e Jugut

Kim Jong-un hyn në Korenë e Jugut

Kim Jong-un u bë sot lideri i parë koreano verior që kaloi kufirin për në jug që nga përfundimi i luftës koreane në vitin 1953. Në orën 9.30 me orën lokale zoti Kim u shfaq pranë kufirit me jugun, ku kaloi vijën e demarkacionit që ndan dy vendet, duke shtrënguar më pas duart me presidentin koreano jugor Muun Xhae-in. Pas shkëmbimit të përshëndetjeve të momentit, dy liderët kaluan papritmas në anën veriore të vijës së demarkacionit, ku bënë një foto, para se të kalonin sërish në jug.
Pas një ceremonie mirëpritejeje, liderët u tërhoqën më pas në shtëpinë e Paqes, ku zoti Kim firmosi në librin e vizitorëve.
Më pas ata hynë në dhomën e takimeve, dhe dhanë deklarata për mediat para zhvillimit të takimit me dyer të mbyllura, i cili zgjati për rreth dy orë. Sipas zëdhënësit të presidentit koreano-jugor, gjatë bisedës së tyre, zoti Kim dhe zoti Muun folën për tre çështjet më kryesore që ishin në axhendë dhe konkretisht për denuklearizimin e gadishullit korean, përmirësimin e marrëdhënieve dhe përpjekjet për të arritur një zgjidhje që do t’i jepte fund zyrtarisht luftës së viteve 1950-1953.
Pas takimit, Kim udhëtoi me limuzinë që u rrethua nga truprojat sërish për në pjesën veriore të zonës së demilitarizuar, për t’u takuar pas dreke me zotin Muun për pjesën tjetër të samitit, e cila filloi me një ceremoni të mbjelljes së një peme në zonën e demilitarizuar. Pema në fjalë është nga lufta e vitit 1953 dhe dy liderët hodhën në të ujë dhe dhe nga të dy Koretë. Pas kësaj ceremonie, ata zbuluan një gur përkujtimor për rastin, në të cilën shkruhet se paqja dhe begatia ishte mbjellur bashkë me pemën, dhe ku janë gdhendur edhe emrat e dy liderëve. Dy personalitetet ecën nëpër zonën e demilitarizuar, për t’u ndalur më pas mbi një urë këmbësorësh e cila ishte lyer me ngjyrë blu si Flamuri i Bashkimit Korean. Dy zyrtarët e profilit të lartë u ulën në ndjenjëset e ngritura mbi urë për rastin, dhe zhvilluan një bisedë, detajet e të cilës nuk janë akoma të ditura. Në fund të ecjes, ata u drejtuan për në Shtëpinë e Paqes ku po zhvillohen edhe takimet e pasdites.

Sicred