KRYEFAQJA » LAJME » Këshilla e De Biazit: Luani futboll italian si… Shqipëria

Këshilla e De Biazit: Luani futboll italian si… Shqipëria

Ai ia ka dalë ta çojë një përfaqësuese modeste si Shqipëria në një veprimtari madhore si Evropiani dhe kjo i jep të drejtë të predikojë në ato që besoj. Dhe, për Xhovani De Biazin, këshilla për skuadrat e vogla të Serisë A është: “Duhet të luajnë futboll italian… si Shqipëria”. Ish-trajneri kuqezi mendon se skuadrat duhet të kenë gjithmonë primar rezultatin sportiv para lojës së bukur. Ndaj në një analizë të bërë për të përditshmen sportive italiane, “Il Corriere Dello Sport”, De Biazi nuk ka ngurruar të kritikojë hapur skuadrat e vogla në Serinë A të cilat po dalin jashtë natyrës së tyre me futboll të hapur. Sipas tij, kjo është arsyeja pse pesë skuadrat që mbyllin renditjen në Serinë A, kanë mbledhur të gjitha së bashkë 4 pikë në ndeshjet e deritanishme. “Me Shqipërinë nuk mund të konkurronim nga ana cilësore me Serbinë dhe as me Danimarkën, – ka thënë ish-trajneri i përfaqësueses shqiptare, duke folur për të përditshmen në fjalë. – Kemi përdorur armë të tjera: grintën, inatin, organizimin mbrojtës dhe kundërsulmin. Përmbledhjen e futbollit italian”, tha ai, duke këshilluar këto skuadra të ndiqnin të njëjtin shembull. “Sot skuadrat e vogla nuk luajnë më si ekipe të provincës, me shumë mundësi kjo është arsyeja kryesore e rendimentit të tyre. Ka një diferencë të madhe teknike, por mendoj se për momentin po mbizotëron edhe mes skuadrave të një niveli më të ulët dëshira për të luajtur të hapura dhe duke e kërkuar golin me shumë pasime. Unë nuk jam dakord me këtë zgjedhje, objektivi kryesor i një trajneri, sidomos në betejën e mbijetesës, duhet të jetë fitimi i pikëve”, – ka përfunduar De Biazi.

Sicred