KRYEFAQJA » LAJME » “Kërcimi nga trampolina”, për ata me zemër të fortë

“Kërcimi nga trampolina”, për ata me zemër të fortë

Kërcimi nga trampolina konsiston në rrëshkitjen përgjatë një piste me një kënd 35-37 gradë me një palë skish të përshtatura posaçërisht, duke arritur një shpejtësi rreth 90 km në orë përpara se të shkëputesh në ajër. Olimpiada Dimërore ka dy lartësi të ndryshme për dy garat individuale, atë normal (85-109 m) dhe atë të madhen mbi 110 metra. Vetëm lartësia e madhe përdoret për garat ekipore. Synimi është që të fluturohet sa më tepër të jetë e mundur, duke ruajtur ndërkohë një qëndrim aerodinamik, dhe pastaj të bësh një ulje sa më të butë e të qëndrueshme. Skiatori pret për sinjalin e trajnerit të tij përpara nisjes, për t’u siguruar që kushtet atmosferike dhe shpejtësia e erës të jenë më të mirat e mundshme. Shkëputja nga pista është vendimtare në përcaktimin e largësisë së kërcimit. Skiatori e mban trupin në pozicion të prirët përpara, duke i mbajtur skitë në formë V-je dhe krahët pranë trupit. Pavarsisht idesë që krijohet, skiatori është gjithë kohën jo më tepër sesa 6 metra mbi nivelin e tokës, për shkak të harkut të shpatit të zonës së zbritjes. Një sistem i kompensimit të erës përdoret në mënyrë që sportisti që kërcen në kushte të pafavorshme ere merr pikë shtesë, kundrejt atyre që kanë përfituar nga era e favorshme, të cilëve u zbriten pikë. Për këtë arsye, jo domosdoshmërisht fiton gjithmonë kërcimi më i gjatë. Qëndrimi gjatë fluturimit dhe në ulje janë pjesë e vlerësimit, sidomos ai i mbiquajtur “telemark”, domethënë pikët në ulje, ku gjunjët duhet të përthyhen pak dhe njëri nga skitë duhet të jetë përpara tjetrit. Epikë shtesë jepen nëse garuesit ulen përtej pikës “K”, domethënë kufirit ku zona e uljes nis të sheshohet. Pajimet e kësaj gare janë skitë shumë të gjata, shpesh deri në 1.5 herë më të gjata sesa lartësia e skiatorit. Kapëset lejojnë lëvizjen e thembrave dhe u mundësojnë skiatorit të përkulet përpara gjatë fluturimit. Këpucët janë fleksibël, por me një pjesë të fortë prapa, duke siguruar mbrojtje të kyçit të këmbës. Veçoritë teknike kontrollohen imtësisht që të kufizohet përfitimi i padrejtë nga kërcimi në ajër. Helmeta, e cila është e detyrueshme, dhe syzet plotësojnë kuadrin e pajimeve.

Sicred