KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Kënga “Mall” me sytë e Eugent Bushpepës

Kënga “Mall” me sytë e Eugent Bushpepës

Ka emocione të bukura dhe pritshmëri të ekuilibruara kantautori shqiptar Eugent Bushpepa për klipin e ri dhe variantin muzikor me të cilin ia paraqet publikut europian këngën “Mall”. “Jemi lodhur që t’a mbajmë atë emocion që kënga kishte në fillim e ku ndjehej gradualisht rritja drejt fundit të këngës” thotë Bushpepa për RTSH. “Unë normalisht preferoj versionin e vjetër se ashtu është konceptuar fillimisht kënga dhe teksi ka një rrjedhë. Por besoj se për një vesh të ri që do ta dëgjojë këngën, ky versioni i ri do të jetë më kompakt” thotë kantautori.
Një klip monokrom, i mbajtur në korniza elegante të thjeshtësisë dhe ku fokusi janë emocionet e dy shpirtrave që gjejnë dashurinë dhe luftojnë për tu ngritur në fluturim. Është pak a shume kjo fabula e konceptuar nga Ajola Xoxa dhe ku balerinet kontemporanë përcjellin një atmosferë emocionesh magjike si malli i një dashurie. “Ajola Xoxa që ka shkruar fabulën e ka sjellë shumë thjeshtë. Monokromi besoj ka të bëjë me kujtimin që ke për një person për momentin që ka lidhje me teksin e këngës” spjegon Bushpepa. “Edhe personazhet janë zgjedhur shumë të bukur, me shumë preçizion nga Ajola dhe ekipi…dhe unë jam shumë i kënaqur” shton ai.
Teksa Genti ruan imazhin e një rokeri tipik, balerinët përcjellin tre simbolika të forta të etnografisë shqiptare, xhubleta, fustanella dhe jeleku si një ritem që tregon identitet në përputhje me ritmin e zemrës së Këngës Mall. “Ishte një ide shumë e zgjuar dhe shumë e bukur për të përcjellë simbolikën shqiptare tek klipi që do të përfaqësojë Shqipërinë” thotë këngëtari.
Rregullat skenike të Eurosongut kërkojnë që kënga të mos jetë më e gjatë se tre minuta dhe varianti i ri i saj e ka ndarë publikun në ata që pëlqejnë versionin origjinal dhe të tjerë që pëlqejnë këtë të fundit. Por kjo nuk e kushtëzon Gentin që të japë në këto tre minuta maksimumin e tij vokal dhe skenik në skenën ku miliona teleshikues ngulin sytë mbrëmjen e 8 Majit. Ndërkaq Genti është fokusuar tek përsosja dhe fuqizimi vokal dhe psikologjik i asaj nate në skenë edhe për të përballuar peshën patriotike që zakonshem i vihet shpatullave të një këngëtari që përfaqëson Shqipërinë në Eurosong.
Që prej mbrëmjes së djeshme RTSH ka prezantuar klipin e ri të këngës “Mall” të kantautorit Eugent Bushpepa që do të shoqërojë të gjitha prezantimet muzikore deri në mbrëmjen finale në Lisbonë.

Sicred