KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Kemerovo, po hetohet rreth zjarrit në qendrën tregëtare

Kemerovo, po hetohet rreth zjarrit në qendrën tregëtare

Hetuesit rusë dhe dëshmitarë okularë thanë se alarmi nuk ra dhe daljet ishin të bllokuara, kur zjarri përfshiu një qendër tregtare në Siberi, duke vrarë të paktën 64 persona. Shumë prej viktimave në tragjedinë që ndodhi në qytetin Kemerovo ishin fëmijë. Sipas Komitetit Investigativ rus, daljet e emergjencës në rast zjarri ishin të bllokuara dhe kjo ishte vetëm një prej shkeljeve të shumta të sigurisë në ndërtesë. Hetuesit thanë se një nga teknikët e sigurisë në kompleks fiku alarmin e zjarrit, pasi u mor vesh se në ndërtesë kishin shpërthyer flakët. Ai, bashkë me dy të tjerë, janë ndaluar dhe po merren në pyetje. Sipas hetuesve, një tjetër dështim i rëndë ishte mungesa e evakuimit të organizuar që mund të kishte shpëtuar shumë njerëz. Por, klientët e qendrës të lënë në mëshirë të fatit u përpoqën t’ia mbathin si të mundnin, madje disa u hodhën edhe nga dritaret. Shkaku i zjarrit nuk dihet ende zyrtarisht, por veç mundësisë së një qarku të shkurtër elektrik, autoritetet dyshojnë se flakët mund të jenë shkaktuar edhe nga fëmijët që luanin në një nga këndet e lojrave. Edhe Presidenti rus, Vladimir Putin udhëtoi drejt qytetit të largët siberian për të vendosur një lule në memorialin e viktimave.

Sicred