KRYEFAQJA » LAJME » KE synon 80 mijë vende të reja pune në Ballkan deri në vitin 2025

KE synon 80 mijë vende të reja pune në Ballkan deri në vitin 2025

Komisioni Europian po punon mbi një plan masash për lëvizjen e lirë të punonjësve, rritjen e investimeve dhe lehtësimin e tregtisë në rajonin e Ballkanit. Propozimi që synon krijimin e rreth 80.000 vendeve të reja pune deri në vitin 2025, pritet që të detajohet bashkë me instrumentet financiarë përkatës gjatë Samitit të Triestes në muajin korrik.
Ministrat e jashtëm të rajonit të Ballkanit u ftuan nga homologu italian Alfano që të paraqesin në takimin përgatitor të këtij Samiti propozimet e vendeve të tyre për projektet infrastrukturore dhe energjetike, por edhe duke skicuar instrumente të reja për zhvillimin ekonomik të rajonit. Duke iu referuar projekteve të ndërlidhjes, gjatë muajve të fundit janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh mes vendeve në rajon për lehtësirat në transport, pa hapësirën e të cilave projektet rajonale e kanë të pamundur të kapërcejnë kufijtë e secilit vend.
Pjesëmarrësit në takim kujtuan dhe rëndësinë e dialogimeve politike sa dhe të domosdoshmërisë që nisma e Berlinit 2014 të prodhojë instrumente që e përshpejtojnë anëtarësimin, dhe që sigurojnë që sundimi i së drejtës prodhon zhvillim ekonomik.
I mbajtur nën kujdestarinë italiane, Samiti i radhës i Ballkanit Perëndimor duket se do të hapë dhe një hapësirë me propozimet novatore të kryesisë italiane në përgatitjen e masave konkrete në fushën e inovacionit dhe zhvillimit të kompanive të vogla dhe të mesme në rajon.

Sicred