KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Kçira, fshati që eksporton për Papa Françeskun

Kçira, fshati që eksporton për Papa Françeskun

Për fshatin Kçirë të Pukës as në Wikipedia nuk gjen të dhëna. Po të kërkosh edhe më në internet, gjen një përshkrim të vitit 1916, kur fshati tërësisht katolik kishte tre kisha, 105 shtëpi e 800 frymë. Çuditërisht 800 banorë ka edhe sot, një pjesë e mirë e të cilëve jetojnë duke punuar për punishten e reçelrave, mjaltit, pijeve, bimëve mjekësore, të cilat eksportohen deri në Vatikan e pëlqehen nga vetë Papa Françesku.

Punishtja gjendet pranë njërës prej kishave të ringritura para 18 vitesh, asaj të Shën Nikollës, nga prifti italian, Don Giovanni, i cili përveç kishës, do të krijonte vende pune e do të ringrinte një tjetër të ardhme për banorët e këtij fshati.  “ Kemi vepruar si vend eksperimental duke bashkuar traditat e ndryshme dhe kulturat e ndryshme blegtorale, veçanërisht nga Italia prej prejardhjes time. Projektet tona janë aprovuar edhe nga Papa e Vatikani gjë që është shumë e rëndësishme” thonë disa gra që punojnë në punishte gjatë gjithë vitit.

60 familje të Kçirës mbjellin e mbledhin fruta e bimë me punë sezonale. “Jemi shume të kënaqur që kemi marrë pëlqimin e Papa Franceskut. Çdo gjë është bio dhe me vlera të mëdha ushqimore” thonë banorët. Një tjetër sipërmarrës thotë se se ka nisur dhe një aktivitet për mbarështimin e derrave . “Kjo për të ndihmuar disa familje duke i angazhuar. Thërrisnim kryefamiljarët dhe i mësonim që të bënin sallam, salçiçe dhe proshutë.”

Jo vetëm tulipanë ngjyra-ngjyra sikur je në Hollandë, por në Kçirë është mbjellë edhe lis amerikan. “Veçoria e tij është se kompanitë më të mëdha në botë për prodhimin e whiskey-t, përdorin pikërisht këtë lloj druri për të bërë fuçitë. Ne e kemi sjellë nga oborri i Don Giovanni-t dhe kemi pasur rezultate shumë pozitive e kemi mbjellë mijëra fidanë” thonë banorët.

Shumë fshatra në Shqipëri, pothuajse gjithë Shqipëria ngado është e mbushur me fruta pylli, bimë mjekësore, kullota e ujëra të pastra. Por pakkush i ka shndërruar të gjitha këto në mirëqenie për një komunitet të tërë. Duke e nisur thjesht nga natyra e pasuritë e saj përreth nesh, por me një ide të mençur në kokë. “Kemi sjellë modelin që ky vend mund të bëhet, dhe mund të bëhet vetëm me punë dhe angazhim. Shteti ka nevojë të marrë këtë lloj mësimi.” Me këto fjalë e mbyll drejtuesi i Punishtes së Kçirës.

Sicred