KRYEFAQJA » LAJME » Katër muaj vetting, anën e errët të sistemit të drejtësisë

Katër muaj vetting, anën e errët të sistemit të drejtësisë

Po mbushen katër muaj që nga dita e parë kur një trupë gjykuese në Tiranë nisi procesin e kontrollit të pasurisë dhe figurës ndaj anëtarit të parë të gjykatës kushtetuese Fatos Lulo. Zhvillimi i seancave të hapura, publikimi i të shkuarës financiare dhe biografike të gjyqtarëve dhe prokurorëve i vuri njerëzit e drejtësisë para sfidës më të vështirë të jetës së tyre.
Reforma në Drejtësi, dy vjet pas miratimit të ndryshimeve kushtetutese në parlament shkaktoi tërmet në sistemin gjyqesor, por gjithashtu shtoi pikepyetjet për afatet e ndërtimit të institucioneve të reja të gjyqësorit në Shqipëri.
Në sitën Vettingut dhe trupës ndërkombëtare të monitorimit janë vendosur kandidatët që garojnë për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Gjykatës së Lartë, Gjykatë Kushtetuese dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Katër muaj nga nisja e seancave publike dy institucionet më të goditura nga Reforma në Drejtësi që njihen edhe si shtylla të shtetit të së drejtës janë Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese.
Kontrollet e gjyqtarëve kushtetutes dhe gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë nxorrën në pah anën e errët të njerëzve që kanë patur në dorë çekiçin e drejtësisë gjatë tre dekadave të fundit. Nga 6 anëtarë në detyrë në Gjykatën Kushtetuese vetëm dy prej tyre janë konfirmuar. Ndërsa në Gjykatën e Lartë një nga anëtaret e trupës supreme rezultoi me dënim penal në një nga vendet e Bashkimit Evropian. Nga 23 Mars 2018 kur para vettingut doli gjyqtari i parë rezulton se janë kontrolluar 26 gjyqtarë dhe prokurorë, nga të cilët 14 kandidatë janë konfirmuar në detyrë, 10 kandidatë janë shkarkuar dhe dy presin ende vendimet. Javën që nis, të hënë do të dalin para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit një anëtar i Gjykatës së Lartë, një anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe një kandidat për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit.

Sicred