KRYEFAQJA » LAJME » Kategoria e Parë, të shtunën e të dielën luhet java e 11-të

Kategoria e Parë, të shtunën e të dielën luhet java e 11-të

Kategoria e Parë e Kampionatit Kombëtar të Futbollit luan të shtunën dhe të dielën ndeshjet e javës së 11-të në të dy grupet e saj dhe të gjitha ndeshjet nisin në të njëjtën orë, në ora 13:00. Sikundër ka bërë gjatë gjithë këtij sezoni, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë për sportdashës dy takimet më të spikatura të kësaj jave dhe, në kuadër të grupit A, apo grupit të Veriut, transmetuesi publik do të përcjellë emocionet e përballjes midis Egnatias dhe Kastriotit. Kjo sfidë vë përballë dy skuadrat që ndajnë kreun, me krutanët të parët, në kuotën e 26-të pikëve, dhe me rrogozhinasit të dytët, me 8 pikë më pak. Në takimet e tjera të këtij grupi, që luhen të shtunën, Besa pret në Kavajë Besëlidhjen, Korabi është musafir në Burrel, për t’u ndeshur me vendasit, ndërsa Erzeni dhe Dinamo përballen me njëra-tjetrën në Shijak. Kjo javë mbyllet të dielën me takimin midis Vllaznisë B dhe Tërbunit, ndërsa po të dielën, luhet edhe ndeshja e fundit e grupit B apo grupit të Jugut, midis Tiranës dhe Pogradecit. Kjo ndeshje do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizonit Shqiptar, duke nisur nga ora 13:00. Bardheblutë kryesojnë renditjen, me 25 pikë, ndërsa liqenorët mbajnë vendin e 3-të, me 18 pikë, 3 më pak sesa Bylisi i vendit të dytë. Takimet e tjera të grupit B luhen të shtunën pasdreke dhe Turbina pret në derbi Shkumbinin, kurse, në një tjetër derbi,Naftëtari viziton Beratin, për t’u ndeshur me Tomorin. Iliria e Fushë-Krujës është mysafire në Fier, për t’u ndeshur me Apoloninë, ndërsa Shënkolli pret  Bylisin.

Sicred