KRYEFAQJA » LAJME » Kategoria e parë, midis synimeve, shpresave dhe mundësive
Futboll, Kategoria e Parë rikthehet me dy ndeshje në RTSH

Kategoria e parë, midis synimeve, shpresave dhe mundësive

Ndonëse ka ende kohë deri në fillimin e sezonit të ri, kalendari i të cilit nuk është zyrtazuar ende, niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, ofron disa beteja interesante në të dy grupet e tij. E teksa vëmendja sezonin e shkuar ishte përqendruar tek 24-herë kampionia e vendit, Tirana, e cila nuk vonoi më shumë se një sezon për të rigjetur vendin sërish midis më të mirave të futbollit në vend, këtë sezon vendin e saj e ka marrë Vllaznia. Gjigandja e futbollit shqiptar ndoqi hapat e bardhebluve kryeqytetas, duke e provuar edhe ajo shijen e hidhur të rënies nga kategoria. Dhe kuqeblutë do të jenë në grupin A, apo grupin e Veriut, aty ku do të zënë vendin e Kastriotit. Egnatia e Rrogozhinës dhe Erzeni i Shijakut bënë një sfidë deri në fund sezonin e shkuar ndaj Kastriotit, por mbetet për t’u parë sesa do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë përballë shkodranëve, ndërsa pritet për t’u parë sesa do të jenë në gjendje të sfidojnë Besa e Kavajës apo Besëlidhja e Lezhës, dy skuadra që kanë disa sezone që e kanë humbur shijen e Kategorisë Superiore. Ashtu sikundër e ka humbur prej shumë sezonesh këtë shije Dinamo, e cila vijon të mbetet pa shtëpi dhe pa fushë ku të stërvitet dhe bredh nëpër terrenet e periferisë së kryeqyteti. Përtej një premtimi interesant në dukje, mbetet për t’u parë sesa do të arrijë Vora e ardhur nga Kategoria e Dytë të rivalizojë në këtë nivel, aty ku duket se edhe Korabi i Peshkopisë, por edhe  Veleçiku i Koplikut pritet të vuajnë për një tjetër sezon. Ndërkaq, më i barazpeshuar duket grupi B, apo grupi i Jugut, aty ku është larguar Tirana, ndërsa vendin e saj e ka zënë Lushnja, e cila nuk pritet ta ketë të lehtë përballë “të dyshuarve” të zakonshëm, siç janë Apolonia e Fierit, Bylisi, Pogradeci apo Tomori. Në përbërjen aktuale të këtij grupi, këto 5 skuadra pritet të rivalizojnë me njëra-tjetrën për një vend në Kategorinë Superiore një sezon më pas, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Elbasani i kthyer në Kategorinë e Parë, do të jetë në gjendje të mbijetojë aty. Kjo mund të thuhet edhe për Orikumin e ngjitur për herë të parë në këtë nivel, ndërsa në betejën për mbijetesë pritet të jenë protagonistë edhe Iliria e Fushë-Krujës, Shënkolli dhe Turbina e Cërrikut. Megjithatë, të gjitha këto mbeten në kuadrën e hipotezave, derisa skuadrat të zbresin në fushën e blertë për sezonin e ri.

Sicred