KRYEFAQJA » LAJME » Kategoria e Parë, luhen 9 takime të javës së 8-të

Kategoria e Parë, luhen 9 takime të javës së 8-të

Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, ka ka luajtur të shtunën 9 nga 10 ndeshjet e javës së saj të 8-të, që është edhe java e parafundit e fazës së parë. Takimi që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ai midis Tiranës dhe Apolonisë, u fitua nga bardheblutë me shifrat 2-0. Në takimet e tjera të grupit B, apo grupit të Jugut, Bylis ka mposhtur Naftëtarin 3-0, ashtu sikundër edhe Tomori ka fituar thellë në shtëpi, 4-0 ndaj Shënkollit. Pogradecit i ka mjaftuar një gol i vetëm, për të marrë 3 pikët në Peqin ndaj Shkumbinit vendas, ndërsa në Cërrik, Turbina dhe Iliria e Fushë-Krujës janë ndarë me rrjeta të paprekura. Ndërkaq, në grupin A janë luajtur të shtunën 4 ndeshje dhe Besëlidhja nuk ka falur në Lezhë, duke mundur 3-0 Korabin, kurse  Erzeni është mundur 1-3 në shtëpi nga Vllaznia B. Një gol i vetëm i ka mjaftuar Egnatias për të marrë fitoren në Burrel përballë vendasve, ndërsa në Pukë, Tërbuni dhe Dinamo kanë ndarë nga një pikë pas barazimit të bardhë. Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë edhe të dielën takimin e fundit të kësaj jave, atë midis Besës dhe Kastriotit, që luhet në Kavajë, duke nisur nga ora 14:00.

 

Sicred