KRYEFAQJA » LAJME » Kategoria e parë, drejt duelit historik Vllaznia – Dinamo
Kategoria e parë, drejt duelit historik Vllaznia - Dinamo

Kategoria e parë, drejt duelit historik Vllaznia – Dinamo

Pati nisur ngadalë, por, pas dy javësh, tanimë ka nisur të marrë trajtë, duke përvijuar edhe pretendentet e hershme për ato dy bileta të çmuara që të sigurojnë kthimin në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Kategoria e Parë ka mbyllur 180 minutat e para dhe menjëherë ofron një duel që rikthen historinë e vetë futbollit shqiptar, pasi Vllaznia do të presë në fundjavë në Shkodër Dinamon. Nga njëra anë, është klubi më i vjetër i futbollit në vend, që pas një viti feston shekullin e jetës, me 9 tituj “kampion”, si dhe 6 Kupa dhe 2 Superkupa të Shqipërisë të fituara, pa llogaritur këtu edhe 11 herë që është shpallur “nënkampione”, apo 8 finalet e humbura të Kupës dhe dy të Superkupës. Nga ana tjetër, është klubi i 3-të i kryeqytetit, tanimë 68-vjeçar, por që mburret me 18 tituj “kampion”, ndërsa 9 herë të tjera është shpallur “nënkampion”, 13 Kupa të Shqipërisë, përveç 6 finaleve të humbura, por edhe dy Superkupa të Shqipërisë, ku ka dështuar në 4 prova të tjera. Me pak fjalë, nëse Kampionati Kombëtar i Futbollit ka sivjet 80-vjetorin e tij, Vllaznia dhe Dinamo kanë fituar së bashku 27 tituj, apo thënë ndryshe, plot 34 % të totalit, ndërsa po kështu kanë fituar 19 nga 67 edicionet e deritanishme të Kupës së Shqipërisë. Për më tepër, kjo sfidë, që e gjen Vllazninë për herë të parë në histori, në nivelin e dytë të futbollit shqiptar, aty ku Dinamo dergjet prej 7 sezonesh. Ajo që e bën më interesante përballjen e javës së 3-të është fakti se të dyja skuadrat vijnë pas dy fitoresh në po aq ndeshje dhe ndajnë kreun e renditjes së grupit B, apo grupit të Veriut të Kategorisë së Parë. A do të jetë këto dy skuadrat që do të luftojnë për biletën për në Superiore? Kjo mbetet për t’u parë, sepse është shumë herët për ta thënë një gjë të tillë, por ajo që është e sigurt është historia e futbollit do të ulet të shtunën këmbëkryq në Shkodër.

Sicred