KRYEFAQJA » LAJME » Kategoria e parë, caktohet kalendari i fazes së 3-të

Kategoria e parë, caktohet kalendari i fazes së 3-të

Kur kemi mbërritur në 2/3-tat e rrugëtimit të këtij sezoni, niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit është tashmë gati për betejën finale, fazën e 3-të të tij, që zhvillohet me një formulë të veçantë. Për këtë qëllim, pas përfundimit të fazës së dytë, për Kategorinë e Parë me dy grupet përkatëse, grupi A dhe  grupi B, sektori i Garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, në bazë të rregullores së kompeticionit, ka zbardhur edhe klasifikimin e kësaj kategorie. Në bazë të saj janë bërë ndarjet e zonës së “play-off”-it dhe zonës së play-out, si dhe përgjysmimi i pikëve siç e kërkon rregullorja. Kështu, në grupin A, në zonën e “play-off”-it, ku do të luftohet për ngjitjen një kategori më lart, Kastrioti e nis me 22 pikë, apo thënë ndryshe me një epërsi prej 7 pikësh nga ndjekësja më e afërt, Egnatia, ndërsa  3 skuadrat e tjera janë Erzeni, Besëlidhja dhe Dinamo. Ndërkaq në zonën e play-out-it, ku do të luftohet për të mos zbritur një kategori më poshtë, vetëm dy pikë i ndajnë nga njëra-tjetra 5 skuadrat, që janë Korabi, Besa, Tërbuni, Burreli dhe Vllaznia B. Ndërkaq, më e ngjeshur është renditja e zonës së “play-off”-it në grupin B, ku Tirana e rinis betejën për rikthim në Superiore me vetëm dy pikë epërsi ndaj ndjekëses më të afërt, Bylisit, ndërsa shumë më prapa kanë mbetur Apolonia, Pogradeci dhe Tomori. Kurse në zonën e “play-out”-it të këtij grupi, Iliria e Fushë-Krujës, me 13 pikë, dhe Shënkolli, me 12, janë më të favorizuara sesa Turbina, Shkumbini dhe Naftëtari, në betejën për mbijetesë. Kështu, në ndeshjet e javës së 19-të, që është edhe e para në grupin A, Besëlidhja pret Kastriotin dhe Egnatia viziton Shijakun për t’u ndeshur me Erzenin, kur se Dinamo është pushim në zonën e “play-off”-it. Ndërsa në atë të “play-out”-it, ku Vllaznia B është pushim, luhet duelet Burreli-Korabi dhe Besa-Tërbuni. Në grupi B, në kuadër të javës së 19-të luhen ndeshjet Pogradeci-Tirana dhe Apolonia-Bylis, kurse Tomori është pushim në zonën e “play-off”-it, kurse në atë të “play-out”-it, ku Naftëtari është pushim, luhen përballjet Shkumbini-Iliria e Fushë-Krujës dhe Shënkolli-Turbina. Këto takime luhen më 10 mars 2018.

Sicred