KRYEFAQJA » LAJME » Karlo Tavekio jep dorëheqjen si president i FIGC-së

Karlo Tavekio jep dorëheqjen si president i FIGC-së

Karlo Tavekio ka dhënë dorëheqjen nga posti i presidentit të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), vetëm një javë pasi përfaqësuesja “axurre” nuk arriti të kualifikohej për në fazën finale të Botërorit, që mbahet vitin e ardhshëm në Rusi. Duke folur në përfundim të një mbledhje maratonë të organizmit që qeveris futbollin e Apenineve, që në fakt ka nisur që të mërkurën e shkuar kur u shkarkua fillimisht trajneri i përfaqësueses, XhanPiero Ventura, Tavekio lexoi të hënën një deklaratë ku bëri të ditur se ai po jepte dorëheqjen nga kjo detyrë, para se të votohej mbi të ardhmen e tij. Ai madje bëri thirrje që edhe anëtarët e tjerë të bordit këshillues të FIGC-së të ndiqnin shembullin e tij dhe t’i hapnin rrugë zgjedhjeve të reja. “Karlo Tavekio sapo ka dhënë dorëheqjen si president i FIGC-së,” konfirmoi për ANSA-n kreu i Shoqatës së Gjyqtarëve Italianë të Futbollit, Marselo Niki, teksa largohej nga mbledhja e mbajtur në zyrat qendrore të organizmit që qeveris futbollin italian. Të pranishmit e tjerë në mbledhjen e mbajtur në kryeqytetin italian, Romë, zbuluan edhe një detaj të rëndësishëm të mbledhjes, që Tavekio duket se kishte ardhur në këtë analizë me një vendim që ai e kishte marrë më herët dhe nuk i kishte lejuar të tjerët të fliste. Ish-presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Xhankarlo Abete, i cili e pati kërkuar dorëheqjen e Tavekios theksoi se, teksa ndjente keqardhje në aspektin njerëzor për këtë dorëheqje, ishte e pashmangshme të injorohej ajo që kishte ndodhur. “Nëse të gjithë këshilltarët do të kenë vullnetin të japin dorëheqjen, atëherë do ta bëjmë, për t’i hapur rrugë një strategjie të reflektimit mbi të ardhmen e futbollit italian”, – përfundoi Abete.

Sicred