KRYEFAQJA » LAJME » Kampionati Botëror i Aeronautikës në RTSH 1 dhe RTSH Sport

Kampionati Botëror i Aeronautikës në RTSH 1 dhe RTSH Sport

RTSH nënshkruan një tjetër marëveshje të rëndësishme për sa i përket transmetimeve sportive. Kampionati Botëror i Aeronautikës që do të zhvillohet në qytetin e Vlorës në datat 5-14 maj do të jetë ekskluzivitet i RTSH dhe RTSH sport, duke treguar edhe një herë vëmendjen e këtij institucioni në drejtim të Sportit dhe eventeve më të rëndësishme të tij. Gati 220 fluturues nga e gjithë bota do të instalohen për 10 ditë me radhë në bregdetin jonian dhe do të garojnë për titullin Botëror. Vetë presidenti i Federatës Shqiptare të Aeronautikës Renis Troshana u shfaq shumë entuziast pas nënshkrimit të kontratës me Drejtorin e përgjithshëm të RTSH-së, zotin Thoma Gëllçi. “Ne të gjithë jemi të emocionuar për këtë eveniment të madh që do të zhvillohet. Por duke patur mbështetjen e të gjithë këtyre institucioneve dhe një partneri kaq të besueshëm si RTSH, i cili do të mundësojë që çdo shqiptar në çdo cep të Shqipërisë të jetë live me ngjarjen ne gjërat na bëhen më të bukura dhe më të thjeshta. Urojmë që ky bashkëpunim të jetë afatgjatë me aktivitetet e tjera që kemi planifikuar të zhvillojmë” tha zoti Tërshana.
Pjesë e këtij kampionati do të jenë edhe sportistë nga Kina, SHBA apo edhe Rusia. Ky do të jetë jo vetëm një aktivitet sportiv me kujdesin e vecantë të Federatës Botërore të Aeronautikës, por edhe një mundësi e artë për promovimin e turizmit shqiptar dhe bukurive që të ofron riviera e bregdetit tonë. Për Alket Islamin, kjo është një ëndërr e kthyer në realitet, sepse do të jetë një Botëror që do të ndiqet në çdo familje shqiptare. “Me nënshkrimin e kësaj kontrate me RTSH përmbushim dhe ëndrrën tonë që ky event të jetë i pranishëm në çdo vatër shqiptare brenda dhe jashtë kufijve. Do të mundohemi të nxjerrim nga Vlora maksimumin që do të japi ky aktivitet si në nivelin sportiv ashtu edhe turistik” tha zoti Islami,
Kampionati i 9-të Botëror i Fluturimeve të Lira në disiplinën e precizionit do të zhvillohet në Shqipëri në datat 5-14 maj dhe do transmetohet në kanalin RTSH 1 dhe RTSH Sport.